Thaçi pas takimit me Moghernin dhe Vuçiqin: Faza përfundimtare e dialogut, së shpejti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se zonjën Mogherini ka biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë.

Lajme

16/05/2018 19:24

“Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen. Me zonjën Mogherini, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij, me këtë rast, me iniciativën e zonjës Mogherini ai ka zhvilluar një takim të përbashkët me të dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë. Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB. Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje”, ka thënë presidenti Thaçi. /Lajmi.net/

vuc1 vuc2