Thaçi: Pa Kosovën nuk ka stabilitet dhe integrim të Ballkanit në BE (Video)

Bashkimi Evropian, që sot është një projekt i suksesshëm, ka nisur me një projekt për bashkëpunim në sferën e infrastrukturës dhe energjetikës.

Lajme

25/03/2015 11:01

Në këtë frymë, sipas zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, i cili po e udhëheq takimin e përbashkët të 12 ministrave të rajonit, edhe Ballkani Perëndimor ka nisur me hapa më modest për të thelluar bashkëpunimin ekonomik, por me ambicie më të mëdha, për të jetuar si popujt e tjerë të Evropës, në bashkëpunim dhe tolerancë.

“Për Kosovën, pjesëmarrja e barabartë në këtë konferencë është sinjal i fuqishëm se pa Kosovën nuk mund të imagjinohet Ballkani stabil, si dhe integrimi i Ballkanit në BE”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova e ka vendin e garantuar në familjen evropiane të shteteve demokratike.

Zëvendëskryeministri Thaçi deklaroi se Kosova do të jetë prijëse e konsolidimit të paqes në Ballkan dhe e hapjes së një faqeje të re të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo konferencë sot në Prishtinë, për neve është edhe një hap tutje në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tonë”, përfundoi ai.

Ndryshe, konferenca ministrore “Western Balkans’6”, e cila ka mbledhur në Prishtinë ministrat e jashtëm dhe të infrastrukturës së gjashtë shteteve të rajonit, është organizuar në formatin “Gymnih”, me nivel të barabartë, siç organizohen të gjitha takimet e tjera të formatit të BE-së.

YouTube player