Thaçi optimist: Liberalizimi i vizave pritet të ndodhë muajt e ardhshëm

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë sot se Kosova pret me plotë të drejtë që në muajt e ardhshëm të ndodhë liberalizimi i vizave.

Lajme

05/10/2018 11:36

Gjatë fjalimit të tij në inagurimin e Kompleksit Memorial të Marinës, Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës konsiderohet si njëra ndër forcat guerile më të suksesshme të shekullit 20, raporton lajmi.net.

“UÇK-ja konsiderohet si guerila më e suksesshme e shekullit 20 në botë. UÇK-ja fitoi mbështetjen nga SHBA, NATO e  nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Tutje, Thaçi foli edhe për proceset në të cilat Kosova është duke punuar, ku shprehi bindjen për transformimin e FSK-së në ushtri në koordinim me aleatët.

“Presim në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë në transformimin e FSK-së në Ushtri në koordinim me aletët. Sot në kuadër të dialogut me Serbinë  po punojmë që si pjesë e marrëveshjes të përfshihet bashkimi i Luginës me Kosovën”, tha tutje presidenti Thaçi.

Thaçi në fund po ashtu bëri të ditur se të gjithë të varrosurit në këtë kompleks do të nderohen me urdhërin Hero i Kombit./Lajmi.net/