Thaçi nuk pranon se po bën fushatë

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se premtimet e tij, nuk janë pjesë e fushatës zgjedhore. Ai i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitarëve. Sipas tij, premtimet janë detyrim kushtetues për një kryeministër të vendit.

Lajme

30/03/2014 10:52

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shtimi i dinamikës së angazhimit të tij politik, nuk është fushatë.

Në kohën e fundit, Kryeministri dhe Kryetari PDK-së, Hashim Thaçi, ka bërë një sërë premtimesh, duke filluar nga subvencionimi i bizneseve, rritjen e pagave e deri te Plani për Fondin Investiv prej 1 miliardë euro.

Për këtë, kreu i Qeverisë është kritikuar nga partitë politike opozitare, por edhe nga shoqëria civile se po e shfrytëzon pozitën e Kryeministrit dhe paranë publike, për të fituar pikë politike në këtë vit elektoral.

Mirëpo, sipas Thaçit, premtimet e bëra janë detyrim kushtetues që i obligohen Kryeministrit të Vendit.

“Unë po bëj atë që vazhdimisht kam bërë për vendim tim, për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Natyrisht është një angazhim i shtuar dhe i rritur, por ky angazhim vetëm sa do të avancohet edhe më tepër duke i krye obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore”.

Në kohën kur ende nuk është caktuar data e saktë për mbajtjen e Zgjedhjeve Parlamentare, partitë kanë intensifikuar programin e tyre në përpjekje për të përfituar sa më shumë elektorat.