Thaçi: Nuk jap dorëheqje

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se nuk jep dorëheqje. Ai tha se një gjë të tillë do e bënte nëse kryesia e partisë së tij do ta kërkonte.

Lajme

02/05/2014 23:35

Duke ju përgjigjur kërkesës së kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela, i cili ditë më parë kërkoi dorëheqjen e Menduh Thaçit nga drejtimi i PDSH-së, për shkak të rezultateve në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale,  ky i fundit, Menduh Thaçi ka thënë se për dorëheqjen e tij vendosin organet e partisë dhe jo ata që sipas tij “e tradhtuan PDSH-në”.

“Nuk jap dorëheqje nëse këtë e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së dhe armiqtë e PDSH-së. Normalisht unë u nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje dhe unë nuk preferoj dramatizim të situatës. Ne e kemi kongresin e rregullt të partisë pas 10 muajve dhe në kuadër të një procedure të rregullt do t’i zgjidhim të gjitha çështjet që i kemi brenda partisë”, tha kreu i PDSH-së.

Thaçi tha se ditë më parë ka realizuar një takim me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe sqaroi se ende nuk është vendosur nëse PDSH-ja do të jetë pjesë e ekzekutivit. Ai komentoi edhe deklaratat e zyrtarëve të BDI-së të cilët thonë se nuk do të pranojnë që pjesë e qeverisë së re të bëhet edhe PDSH-ja.

“Kot flasin, ata nuk kanë kurrfarë potenciali për kërcënime të tilla dhe tregojnë një dëshirë patologjike që vazhdimisht të jenë pjesë e qeverisë. Kam pasur pardje takim me kryeministrin që ka zgjatur një orë. Asgjë nuk është definitive dhe finale”, shpjegoi Menduh Thaçi.

Këto komente, kreu i PDSH-së i bëri pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, Poll Volers, të cilin e ka njoftuar me parregullsitë gjatë procesit zgjedhor të 27 prillit.  Diplomatit amerikan, Thaçi i ka thënë se për partinë e tij është shumë me rëndësi që të zhbllokohet sa më parë procesi për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, raporton Top Channel.