Thaçi nuk heq dorë nga korrigjimi i kufijve, Vetëvendosje s’ka datë për protestën që e kundërshton këtë ide

Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar protesta edhe më masive se ajo e 29 shtatorit, nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja për korrigjimin e territoreve me Serbinë, por si duket kjo parti ka ‘hequr dorë’ nga ky paralajmërim.

Lajme

23/10/2018 11:49

Ata madje kishin paralajmëruar Thaçin se nëse nuk tërhiqet nga kjo ide do të kërkojnë edhe lirimin e postit të presidentit, shkruan lajmi.net

Kështu kishte deklaruar për lajmi.net deputeti i LVV-së Ismajl Kurteshi, por edhe pse kanë kaluar më se një muaj, kjo parti ende nuk ka një datë të saktë se kur do të organizohet protesta e radhës.

LEXO EDHE: Korrigjimi i territoreve, Vetëvendosje e paralajmëron Thaçin

Lajmi.net gjatë javëve që lamë pas ka tentuar të marr një përgjigje nga zyra për informim e kësaj partie rreth protestës, por ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Ndërkohë sot, deputeti i kësaj partie Ismajl Kurteshi ka thënë shkurt për lajmi.net se partia e tij ende nuk ka një datë se kur do të mbahet kjo protestë.

“Jo ende nuk e kanë vendosur strukturat e partisë se kur do të mbahet protesta”, ka thënë shkurt Kurteshi.

Kujtojmë se protestës së 29 shtatorit e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje iu bashkuan mijëra qytetarë ku edhe u kërkua tërheqja e idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve. /Lajmi.net/