Thaçi nis procedurat për emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lajme

17/12/2018 14:56

Burime të lajmi.net brenda subjekteve politike, kanë konfirmuar se ftesa u është dërguar atyre dhe u është kërkuar që ta propozojnë nga një anëtarë që do t’i përfaqësojë në KQZ.

Nga ana tjetër, lajmi.net ka bërë përpjekje që të marrë përgjigje zyrtare nga Presidenca, por nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke thënë se do të flasin kur të merren vendimet.

Presidenti Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shtruar pyetjet në vijim: “nga cilat grupet parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: a) nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës?; apo b) nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”. Në përgjigje të saj, Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Kosovës.

“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, është thënë në njoftimin e Gjykatës. /Lajmi.net/