Thaçi: Nëse dikush ka ide më të mençur, heq dorë nga korrigjimi i kufijve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të hiqte dorë nga ideja për korrigjim të kufijve nëse ata që ai i quajti skeptikë do të kishin ide më të mençur që do t’i mundësojë Kosovës njohjen e 5 vendeve të BE-së.

Lajme

18/10/2018 14:46

Thaçi ka përsëritur deklaratat se nga marrëveshja e korrigjimit të kufijve nuk do të humbas Kosova ndërsa, sipas tij, bashkimi me Luginën e shpëton Kosovën nga idetë e rrezikshme.

“Kosova nuk guxon ta bojkotojë dialogun me Serbinë sepse nuk guxon të marrë përgjegjës para partnerëve për bllokadë. Ky korrigjim historik do të bëhet për të ardhmen e sigurt të kufijve. E di se ka pasur debate dhe sugjerime, ju falënderoj edhe për kritika ka qenë shumë të mirëseardhura. Sot ne kemi problem një Abetare me çu në Preshevë. Bashkimi do të bëhet gjithmonë duke ruajtur arritjen e një marrëveshje që do të bashkonte Luginën me Kosovën, gjithmonë duke ruajtur Ujmanin,  Mitrovicën e Trepçën”, ka thënë Thaçi gjatë hapjes së “Javës me bizneset e diasporës”, raporton kallxo.com.

Presidenti tha se nuk lejon ndarje të Kosovës as shkëmbim territoresh as Asociacion me kompetenca ekzekutive, dhe që sipas Thaçit, Serbia nuk i ka kërkuar shkëmbim të territoreve.

“Dikujt i duket e pabesueshme por mund të ndodhe nëse jemi bashkë. Nuk ma ka propozuar Serbia korrigjimin, por Kosovën e shpëton nga idetë e rrezikshme dhe të padrejta nga Millosheviq e të gjithë ‘vic’ tjerë. Jemi në një pozicion të favorshëm por a mjafton kjo, ne duhet të lëvizim më shpejtë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe konsolidim duhet të marrim vendime të rënda të shpejtë e të mira për vendin, por duke mos mbetur peng i folklorizmave të së kaluarës”, ka thënë ai.

Thaçi ka komentuar edhe vizitën e tij në Liqenin e Ujmanit të bërë në fund të muajit shtator të këtij viti.

“Flasin ata që nuk janë të zotë të marrin vendime. Ka edhe të tillë që na përmendin njëfarë kutie të Pandorës, ajo është punë qesharake kur një politikan shqiptar e përdor. Shqiptarët as nuk e kanë mbyllur, por as nuk do ta hapin. Vizita ime në liqenin e Ujmanit nuk ishte e rastësishme, isha për të treguar se ai vend ka qenë është dhe mbetet i Kosovës përjetësisht”, tha Thaçi gjatë hapjes së “Javës me Bizneset e Diasporës”.