Thaçi në pritjen e Imzot Dodë Gjergjit uron për paqe, dashuri e mirësi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për nder të festës së Kërshëndellave.

Lajme

24/12/2017 21:06

“Kërshëndellat janë festë e paqes dhe dashurisë, e gëzimit dhe lumturisë”, u shpreh presidenti Thaçi në pritjen në Rezidencën e Ipeshkvisë pranë Katedrales Shën Tereza në Prishtinë.

“Në Kosovë jemi sprovuar shumë herë, por gjithmonë kemi dalë fitimtarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Por, kemi ngadhënjyer, sepse kemi pasur besim, në veten tonë, në vlerat për të cilat jemi angazhuar, për të cilat jemi sakrifikuar, për të cilat kemi luftuar”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se “edhe sot besimi ynë luhatet kur thashethemet përhapen më shpejt se kurdoherë tjetër, kur fjala e keqe nuk pret të dëgjojë të vërtetën”.

“Sot është e rëndësishme të mos e humbasim besimin”, ftoi presidenti Thaçi.

“Besimin se Kosova është shtëpia jonë e përbashkët, se po ndërtojmë një shtëpi të mirë për të gjithë. Prandaj, duke ftuar për besim e jo dyshim, për përkushtim e jo largim, për bashkim e jo përçarje, ju uroj të gjithëve paqe, dashuri, mirësi, në jetët tuaja, në familjet tuaja”, ka uruar presidenti Thaçi.