Thaçi në pritje të Kushtetueses

Kryeministri Thaçi ka komentuar në Facebook për procesin e fundit zgjedhor dhe për mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin për qeveri. 

Lajme

28/06/2014 16:45

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, njëzet ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, ka komentuar këtë proces si dhe verdiktin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin për krijimin e qeverisë.

Ai përmes një postimi në postimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se mirëpret çfarëdo vendimi që Kushtetuesja do të merr lidhur me dilemat e fundit politike.

“Zgjedhjet parlamentare të qershorit u zhvilluan me sukses. Qytetarët shprehen vullnetin e tyre lirshëm për të ardhmen e tyre, për Kosovën e zhvilluar dhe të integruar në BE dhe NATO. Tani procesi i certifikimit të rezultateve po afrohet. Në ndërkohë, pritet që edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i jap përgjigje pyetjeve të parashtruara nga Presidentja e vendit”.

“Verdikti i Gjykatës Kushtetuese pritet të qartësoi dilemat e panevojshme qe janë ngritur. Unë si kryeministër i vendit e mirëpres dhe publikisht zotohem se do të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se cili do jetë ai. Kështu kemi vepruar edhe në të kaluarën kur kemi pranuar vendimet e kësaj gjykate edhe atëherë kur ato kanë qenë në kundërshtim me pritjet tona. Fundja, çështja thelbësore e gjithë këtij procesi është që Kosova të tregoj maturi institucionale dhe qytetarët tonë të fillojnë ta prekin ndryshimin që do ndodhë me fillimin e zbatimit te Misionit te Ri”.