Thaçi: Në Beograd të shkojë edhe Jahjaga, nëse trajtohet si presidente e Kosovës

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, vazhdon të përkrahë idenë se liderët e Kosovë, përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga duhet të shkojnë në Beograd, kur trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Lajme

23/10/2014 17:52

Kryeministri  i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se zyrtarët e Kosovës duhet të marrin pjesë në konferenca si ajo e Beogradi, sa herë që trajtohen si kolegët e tyre rajonalë.

Ai gjatë një interviste në emisionin InfoBox në Radio Dukagjini, i pyetur për mundësinë që edhe ai një ditë të vizitojë Beogradin, ka thënë se nuk ka nostalgji për kryeqytetin serb, mirëpo ka pohuar se ai do të sillet me përgjegjësitë që atij i ngarkohen

“Çdoherë që trajtohemi dhe respektohemi si përfaqësues të shtetit të Kosovës, vizita të tilla janë në interes të paqes dhe stabilitetit, në interes të Kosovës, në interes të konsolidimit të shtetit tonë, në interes të fqinjësisë së mirë dhe natyrisht pse mos të ndodh kjo vizitë. Si vizita e Presidentes së Kosovës, ashtu edhe vizita reciproke, vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Unë nuk kam ndonjë nostalgji për vizita të tilla, as ndonjë etje, por mund të them lirisht se unë gjithmonë do të sillem në përputhshmëri dhe me përgjegjësitë më të larta kushtetuese dhe ligjore si dhe përgjegjësitë institucionale dhe shtetërore që kemi”, ka potencuar kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.

Duke komentuar kërkesat e përfaqësuesve të partive të Bllokut që PDK të reflektojë e para në mënyrë që vendi të del nga ngërçi politik, Thaçi ka thënë se qytetarët kanë reflektuar me 8 qershor, andaj Thaçi ka thënë se ai do të reflektojë në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

Kryeministri në detyrë ka bërë të ditur se gjatë takimit lamtumirës me baroneshën Ashton, i ka dhuruar asaj një filigran nga Prizreni.