Thaçi mobilizon partinë për zgjedhje të reja (video)

Hashim Thaçi përmend mundësinë e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, në rast se nuk ka zgjidhje në mes të liderëve politikë, për të kaluar krizën. Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të degëve që të mobilizohen për zgjedhje të reja. Ndërsa, Arsim Bajrami akuzon bllokun për krizë kushtetuese dhe sociale. Ai propozon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partive. 

Lajme

05/11/2014 15:32

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mosgatishmëria e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV për të biseduar së bashku për tejkalimin e krizës, do të dërgojë vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Hashim Thaçi përmend mundësinë e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, në rast se nuk ka zgjidhje në mes të liderëve politikë, për të kaluar krizën. Ndërsa, Arsim Bajrami akuzon bllokun për krizë kushtetuese dhe sociale. Ai propozon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partive. 

Këto komente Thaçi i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, që po mbahet këto momente në Prishtinë.

Ai ka akuzuar, siç e ka quajtur, “bllokun bllokues” për krijimin e kësaj krize politike, pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa u ka bërë thirrje kryetarëve të degëve që të mobilizohen për zgjedhje të reja. 

“PDK rikonfirmon gatishmërinë që të formohen institucionet, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. U kemi bërë ftesë të gjithë përfaqësuesve politikë që të ulemi dhe të bisedojmë për zhbllokim të situatës dhe kemi mbështetur nismën e Presidentës, por deri më tani, kemi ngecur për shkak të qëndrimit bllokues të bllokut opozitar”, ka thënë Thaçi, transmeton lajmi.net.

“Nëse blloku bllokues vazhdon me këtë qasje, atëherë e vetmja rrugë që mbetët janë zgjedhjet e reja”. 

“U bëjë thirrje të gjithë kryetarëve të degëve të partisë, që të mobilizohen për të shkuar në zgjedhje të reja”. 

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Arsim Bajrami, ka akuzuar partitë e Bllokut, se po tentojnë ta marrin pushtetin jashtë kornizave kushtetuese.  

“Kosova po hyn në një krizë kushtetuese dhe sociale. Ne jemi peng e një lidhjeje politike, të cilët me ambiciet e tyre për pushtet, janë duke i dëmtuar interesat e vendit. Projekti i tyre është antikushtetuese, duke synuar që ta rrëzojnë vullnetin e qytetarëve dhe duke synuar ta marrin pushtetin jashtë kornizave kushtetuese, ky qëndrim i Bllokut është qëndrim për ta mbajtur peng shtetin”.