Thaçi: Me Malin e Zi investime të përbashkëta në rrugë dhe hekurudhë

Kosova dhe Mali i Zi do të investojnë në dy projekte rrugore dhe një hekurudhor, që do i japin hov të madh shkëmbimeve tregtare mes vendeve, ka bërë të ditur zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, një ditë pas përfundimit të vizitës zyrtare në shtetin fqinj.

Lajme

17/01/2015 16:41

Thaçi, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij, në Mal të Zi, janë dakorduar me qeverinë malazeze për ndërtimin e dy projekteve rrugore dhe një projekti hekurudhor, të cilat do ndihmonin shkëmbimin tregtar me s dy vendeve. 

Ai në Facebook, ka shkruar se gjatë vizitës atje, ka takuar një grup bizismenësh në Mal të Zi, ku i ka njoftuar për kushtet që i ofron Kosova për të investuar. 

“Sikurse edhe në Tiranë, pjesë e vizitës sime në Mal të Zi qe edhe një takim me përfaqësues të biznesit me të cilët diskutova se si mund të shfrytëzohen më mirë mundësitë që ofron ekonomia e Kosovës. Fola me ta mbi kuadrin e favorshëm ligjor dhe lehtësirat që shteti ynë ka përgatitur për të tërhequr investitorë të huaj si dhe për cilësinë e shumë produkteve kosovare”. 

“Po ashtu i informova se bashkë me qeverinë malazeze ishim dakorduar për dy projekte rrugore dhe një hekurudhor që do i japin hov të madh shkëmbimeve tregtare mes vendeve tona. Bëhet fjalë për rrugët Deçan-Plavë, Pejë-Çakor-Murino si dhe lidhjen hekurudhore Pejë-Beranë-Pljelvje”, ka shkruar Thaçi. (lajmi.net)