Thaçi: Më 8 qershor, PDK do të fitojë bindshëm

PDK do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Kështu vlerësoi kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi. Si kryeministri, ndërkaq, Thaçi beson se nesër Kuvendi i Kosovës do të votojë pro themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Lajme

04/05/2014 18:15

Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, në vazhdën e parafushatës zgjedhore, të dielën ka qëndruar në qytetin e Gjilanit, ku është takuar me aktivistët e partisë së tij.

Thaçi tha se PDK po forcohet e masivizohet çdo ditë dhe se fitorja e PDK-së më 8 qershor do të jetë bindëse. Fitoren e PDK-së, sipas tij, po e presin edhe Washingtoni e Brukseli. Fitorja e 8 qershorit e PDK-së, tha Thaçi, do të jetë “bindëse”.

“Në PDK po ndodh një mobilizim i ri, sepse neve na kanë besuar qytetarët. Na kanë besuar edhe ndërkombëtarët kur kemi marrë vendime të rëndësishme për shtetin e Kosovës”.

“Kosova nuk mund të qeveriset nga njerëzit që nuk i do Brukseli e Washingtoni. Fitorja e PDK-së do të ndodhë edhe në Gjilan”.

“Tani Kosova po hyn në një fazë të rëndësishme me një mision të ri. E fituam lirinë, e sollëm pavarësinë dhe tani radha është që ta ndërtojmë e zhvillojmë Kosovën. Vendimet e marra deri tani ka mundur t’i bëjë vetëm një liderdship që ka fuqinë dhe legjitimitetin e popullit dhe që ka përkrahjen e SHBA-ve dhe NATO-s”.

Gjatë vizitës në Gjilan, Thaçi ka folur edhe për formimin e FAK-ut. Ai tha se është i sigurt që të hënën Kuvendi i Kosovës do të miratojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për krijimin e kësaj force.

“Unë jam i sigurt se nesër do të votohet FAK-u dhe ngatërresat tashmë janë të padrejta për poenë politikë. FAK-u i tejkalon interesat partiake, sepse SHBA-të e NATO po e presin vendimin e Kuvendit dhe çdo tendencë për shtyrje është e rrezikshme për shtetin e Kosovës”, tha Hashim Thaçi, raporton rajonipress.