Thaçi: Marrëveshja e koalicionit do të zbatohet në tërësi

Sipas marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi më 2016 do të jetë kandidat për president të vendit.

Lajme

14/12/2014 13:08

Në një intervistë dhënë për Radio Evropa e Lirë, Thaçi ka thënë se ai beson se koalicioni PDK-LDK është stabil, kredibil dhe efektiv. Ai tha se së bashku me partnerin qeverisës do të punojnë për Kosovën e re zhvillimore dhe evropiane.

“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se koalicioni do të jetë stabil. Do të jetë kredibil, do të jetë efektiv në punë, do të jetë i përkushtuar për qeverisje të mirë, për rend dhe ligj, në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Pra, do të punojmë për Kosovën e re zhvillimore, Kosovën evropiane dhe Kosovën euroatlantike”.

Sipas marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi më 2016 do të jetë kandidat për president të vendit.

Sipas Thaçit, kjo marrëveshje do të zbatohet në tërësi.

“Në momentin që unë kam vendosur të ndërtoj koalicion me LDK-në dhe PDK-ja ka vendosur që ta depersonalizojë procesin në interes të vendit, ta departizojë në interes të shtetit. Prandaj, çështja më pak e rëndësishme është pozicionet individuale të lidershipit. Aktualisht të gjithë duhet të punojmë si një ekip i përbashkët për vendin” tha Thaçi.

“Marrëveshja do të respektohet në tërësi. Do të punojmë bashkërisht. Tani jam i koncentruar plotësisht në angazhimet e reja qeverisëse që i kam. Marrëveshja është nënshkruar për t’u respektuar në tërësi. Është një marrëveshje e një besimi të ndërsjellë”.

“Është marrëveshje e vullnetit të mirë e përgjegjësive të ndara institucionale. Unë president kam pasur mundësi të zgjidhem edhe më herët, tri herë, por gjithmonë kam pasur kontratën me qytetarët që t’iu shërbej në kuptimin e ekzekutivit”,ka thënë Thaçi për REL.