Thaçi: Leje për qëndrim në Veri duhet të kërkojnë vizitorët që vijnë nga Serbia

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pasditen e sotme ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur rreth vizitës së djeshme në Mitrovicën veriore.

Lajme

30/09/2018 18:30

Thaçi ka thënë se Kosova është shtet i lirë dhe unik, demokratik dhe multinetnik në të cilin lira e lëvizjes është e garantuar për të gjithë qytetarët pa dallime etnike apo politike të cilat mund të paraqiten aktualisht.

“Dje kam vizituar pjesën veriore dhe do ta vizitojë përsëri sa herë që të jetë e nevojshme. Kujt s’i kam marrur leje as s’do t’i marr leje për një gjë të tillë. Sa i përket lejeve këtë nuk duhet ta bëj askush nga Kosova, qytetarët e Kosovës e kanë të lejuar lëvizjen e lirë në çdo cep të territorit”, është shprehur presidenti, raporton lajmi.net.

Tutje, ai ka thënë se leje duhet të kërkojnë vizitorët që vijnë nga Serbia.

“Vizita në Bërnjak, ishte vizitë në një pikë kufitare që funksionon në një mënyrë krejt të rregullt.  izitova liqenin e bukur të Ujmanit, vizita ka kaluar në mënyrë të qetë në një ambient të mrekullueshëm, nuk është përcjellur me as të voglin incident, përkundrazi jam pritur ngrohtë edhe nga banorët lokal. Serbët e Kosovës që jetojnë në atë pjesë të cilët na kanë mirëpritur me kafe dhe raki shtëpie, i falënderoj. Në bisedë me banorët atje u konfirmua se të gjithë e duan paqen, mirëkuptimin, tolerancën dhe pajtimin, duan jetë më të mirë për familjet e tyre e jo nacionalizim konflikt, luftë urrejtje e armiqësi. Pata kënaqësi të lundroj në liqe, nga pamjet e bukura u ktheva edhe më i relaksuar”.

Thaçi ka theksuar se liqeni i Ujmanit është aset i pazëvendësueshëm, ka qenë dhe do t mbetet i shfrytzueshëm për Republikën e Kosovës./Lajmi.net/