Thaçi: Lajm historik, presim që deri në fund të vitit të lëvizim pa viza

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me komisarin evropian për migrim, punë të brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopulos, pas marrjes së lajmit se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Lajme

18/07/2018 16:42

Thaçi tha se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian ështën ndër lajmet më të mira që ka mundur të marrë shteti i Kosovës, raporton lajmi.net.

“Jam shumë i lumtur të jemi së bashku me ju në këtë ditë të rëndësishme. Vendimi i sotëm i KE-së për liberalizmin e vizave është ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës ndër dekada, kjo përbën një moment historik për Kosovën”, tha Thaçi.

Thaçi u shpreh shumë i lumtur që Kosova ka mbërritur në fund të një udhëtimi siç e quajtiai , shumë të gjatë dhe të vështirë.

“Unë duhet të theksoj se kilometrat e fundit të këtij rrugëtimi ishin shumë të gjatë dhe të rëndë për ne. Mirëpo jam i lumtur që kemi mbërritur deri tek ky cak. Jam i bindur që shpejt do të vij momenti kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, deri në këtë fund të këtij viti. Sot është fituese Kosova sot është fituese BE-ja”, shtoi Thaçi.

Tutje Thaçi tha se Kosova e ka merituar këtë lajm për vizat dhe një gjë e tillë nuk ka ardhur si dhuratë nga Bashkimi Evropian.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Më duhet ta nënvizoj se kjo nuk ka qenë dhuratë, mirëpo ka qenë meritë dhe mirënjohje e punës që kemi bërë. Falënderoj të gjithë delegacionin e Kosovës. Shpreh mirënjohje dhe falënderoj të gjithë spektrin politik dhe shoqërinë civile për kontributin. Vetëm të bashkuar kemi arritur këtë objektivë dhe do të arrijmë edhe objektiva tjerë. Unë kam besimin që do të përmbyllim këtë proces. Është më se evidente se Kosova përveq një vendi aspirues për anëtarësim është edhe partner i BE-së në të gjitha çështjet ku kemi interes të përbashkët, më duhet të them se jemi të vetëdishëm për të gjitha sfidat, për migracionin dhe për rritjen e populizimit”, deklaroi Thaçi.

Thaçi po ashtu tha se kjo do të ketë ndikim pozitiv edhe në procesin e dialogut, proces ky që ai e cilësoi si jo të lehtë mirëpo të domosdoshëm.

“Ky është një ndikim pozitiv që do të ketë në procesin e dialogut, është një proces jo i lehtë shumë i vështirë, por i domosdoshëm për pajtim dhe fqinjësi të mirë, në mënyrë që të hapet përspektiva euroatlantike për Kosovën dhe evropiane për Serbinë”, përfundoi Thaçi./Lajmi.net/