Thaçi krenar me trashëgiminë artizanale

Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka trashëgimi të pasur artizanale. Ai premtoi se do të mbështetë këtë trashëgimi e cila mund të shërbejë për zhvillim të turizmit në Kosovë.

Lajme

24/07/2014 15:15

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do të mbështesin trashëgiminë artizanale. Thaçi në një postim në Facebook, ka thënë se trashëgimia e Kosovës mund të shërbejë për tërheqje të vizitorëve ndërkombëtar.

Thaçi u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që ti vizitojnë dyqanet e zejtarisë.

“Ne të gjithë jemi krenarë për trashëgiminë tonë të pasur artizanale që mbahet gjallë nga zejtarët tanë të talentuar e të palodhur dhe të gjithë duhet të kontribuojmë në ruajtjen, kultivimin dhe nxitjen e saj”.

“Unë besoj se trashëgimia jonë mund të shërbejë njëherazi edhe si instrument i vlefshëm zhvillimi prandaj në të ardhmen do të nxisim artizanatin në mënyrë që të shërbejë si mbështetje edhe ndaj industrisë së turizmit duke e bërë më tërheqëse në nivel ndërkombëtar ofertën turistike të Kosovës”.

“Dëshiroj të ftoj bashkatdhetarët tanë të diasporës, që kanë ardhur për pushime verore, që të vizitojnë punishtet apo dyqanet e zejtarëve tanë, të blejnë produkte artizanale autentike kosovare dhe t’i marrin me vete në vendet ku jetojnë. Kështu do mund të mbajnë edhe më të freskët lidhjen e tyre me atdheun, do të promovojnë trashëgiminë kosovare nëpër botë dhe do të ndihmojnë që tradita jonë e çmuar të jetojë dhe t’i përcillet e plotë gjeneratave të ardhshme”.