Thaçi: Kosova kurrë më mirë nuk ka qenë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për valën e ikjeve nga Kosova, ka thënë se ditë më të mira do të vijnë për vendin, por edhe më mirë se sa që është sot, kurrë më parë nuk ka qenë në Kosovë. 

Lajme

26/12/2014 22:29

Thaçi, njëherësh edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se do të punohet maksimalisht që të reduktohet sa më shumë migrimi jo i rregullt. 

Ai ka thënë se vendet ku po shkojnë kosovarët nuk pranojnë azilkërkues, andaj sipas tij, mundësia më e mirë është të jetohet në Kosovë, e jo në kampe të vende të tjera. 

“Do të angazhohemi që të kalohet kjo situatë. Lëvizjet e njerëzve është e vështirë të ndalen tërësisht por ne do punojmë maksimalisht që t’i reduktojmë. Ditë më të mira do të vijnë dhe më mirë nuk ka qenë kurrë”, tha ai në një paraqitje në TV21. 

I pyetur nëse kjo mund të ndikojë negativisht në proceset e Kosovës drejt BE-së, tha se BE-ja nuk do ta ketë asnjë argument për të akuzuar Kosovën se nuk i ka përfunduar obligimet e nevojshme. 

“Nuk është faji në Kosovë por është faji politikë që nuk po merret vendimi në Bruksel”, tha ai. 

Madje paralajmëroi se diçka pozitive do të ndodh në këtë aspekt. 

“Do punojmë maksimalisht që ky vit që po hyjmë të jetë një thyerje e akullit e të fillojnë njohjet e pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Thaçi.