Thaçi koordinohet me amerikanët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një postim në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ndihmë-sekretarin amerikan, Wess Mitchell

Lajme

30/08/2018 14:28

Me Mitchell ai është dakorduar që të intensifikohen përpjekjet drejt arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë.

Ky është postimi i plotë:

Sapo përfundova një bisedë telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Ëess Mitchell, me të cilin biseduam për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ndihmës-Sekretarin Mitchell e falënderova për qëndrimin e qartë të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të fazës së fundit të dialogut.

Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces.

Përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja, është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Miqësia dhe besimi në SHBA-në do të jetë i përjetshëm. HTH