Thaçi: Komorani, komuna më e re e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ftuar edhe njëherë të gjithë deputetët e Kosovës që nesër të votojnë për Forcën e Armatosur të Kosovës. Ai tha se nuk do të lejon që Kosova pa ushtri dhe pa integrimin e saj në NATO.

Lajme

04/05/2014 21:40

Këto komente ai i bëri gjatë një takimi me banor të Komoranit dhe 25 fshatrave përreth, ku edhe tha se ka vendosur që Komorani të jetë komuna më e re e Republikës së Kosovës.

Ai u ndal te celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se në atë kohë thonin se nuk mund të luftohet me Serbinë, megjithatë tha se ata kishin besim dhe krijuan UÇK-së, e cila solli lirinë. Po ashtu, tha se pas luftës iu thanë se nuk mund ta shpallin pavarësinë, megjithatë ata prapë besuan dhe ajo ndodhi. Kurse tash, tha se kanë mision zhvillimin ekonomik të vendit, mision ky i cili mund të arrihet vetëm të bashkuar.

Kryeministri Thaçi u ndal edhe te ngritjet e pagave dhe lirimin e semestrave për student, megjithatë tha se ligji për veteranët e bënë të ndihet krenar për shkak se ka qenë obligim i tij moral.

“Ata që kundërshtuan ligjin për veteranët mundohen të krijojnë dilema edhe për Ushtrinë e Kosovës por unë nuk do ta lë vendin pa ushtri dhe pa integrimin në NATO, andaj i ftojë të gjithë deputetët që nesër në Kuvendin e Kosovës të votojnë për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës”, ka thënë ai.

Thaçi tha se ndihet mirë që është në Komoranin Gjeneral Xheladin Gashit-Plakut, ku edhe u strehua dhe të gjitha vendimet që do të merren janë pak për këtë trevë ku edhe u themelua UÇK-ja.

Ai u premtoi banorëve një nënkalim, një shkollë të mesme, një shtëpi të shëndetit dhe investime në infrastrukturë.

“Pas konsultimeve me shumë qytetar të kësaj ane, unë kam vendosur që Komorani të jetë komuna më e re e Kosovës”, ka thënë ai.

(Kosovapress)