Thaçi kërkon unitet politik dhe shoqëror për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në tryezën organizuar nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) me temën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi”.

Lajme

14/09/2017 18:04

Thaçi ka ritheksuar iniciativën për themelimin e Grupit të Unitetit për të punuar bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi, duke kërkuar përfshirjen edhe të përfaqësuesve të mediave dhe shoqërisë civile.

Ai ka thënë se Grupi i Unitetit do të përbëhet prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës, pra të Presidencës, të Qeverisë, të Kuvendit ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike parlamentare.

“Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm në kuadër të punës së Grupit të Unitetit do të luajnë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, akademia, mediat dhe cilido që konsiderohet se mund të jap kontribut në këtë proces”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo do të garantojë konsensusin politik në dialog, por edhe ekspertizën e nevojshme për dialog dhe përkushtimin për të zbatuar e arritur.

“Në fund të këtij procesi do të kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, një marrëdhënie e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit që do të kontribuojë për paqen e qëndrueshme dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”, ka paralajmëruar Presidenti. /Lajmi.net/