Thaçi kërkon nga Qeveria rritjen e pagave për ushtarët e FSK-së

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme drekoi me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme

24/12/2018 13:05

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas drekës që e zhvilloi me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, u shpreh i kënaqur që takoi përsëri ata, raporton lajmi.net.

Në deklaratën e tij për media pas kësaj dreke, Thaçi ka thënë se ka bërë kërkesë në Qeveri që të ketë rritje të pagave për të gjithë pjesëtarët e FSK-së.

“Tash pasi themeluam ushtrinë të gjithë kemi një unanimitet të plotë të mbështetjes së ushtrisë së Kosovës, të zhvillimit të saj, të punës saj të mbarë, të realizimit të qëllimit dhe misionit të tyre, unë kam vendosur si president i Kosovës, si komandat suprem i Ushtrisë së Kosovës ti propozoj qeverisë së Kosovës rritjen e pagave për ushtarët e FSK-së që njerëzit këtu, ushtarët, oficerët, nënoficerët që të kenë një jetë të dinjitetshme, një punë të dinjitetshme në punën dhe angazhimin e tyre. Shpresoj se Qeveria do ti përgjigjet pozitivisht thirrjes dhe kërkesës sime për rritjen e pagave në mënyrë solide dhe të pranueshme. Prandaj kam besim të plotë se të gjitha institucionet e vendit do të jemi të mobilizuar pa dallim edhe në këtë drejtim”, ka thënë ndër të tjera kreu i vendit, raporton lajmi.net.

Tutje Thaçi ka thënë se këtë drekë e kishte si obligim me ushtarët e FSK-së pas mbledhjes që u mbajt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork me kërkesë të Serbisë.

Sipas Thaçit edhe në këtë mbledhje u vërtetua botërisht përkrahja e miqve dhe aleatëve ndërkombëtar për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. /Lajmi.net/