Thaçi: Ka biseda, por jo edhe negociata për hyrjen në Qeveri

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi ka ndryshuar qëndrimin lidhur me mundësinë e përfshirjes e partisë së tij në Qveri.

Lajme

19/03/2015 20:23

Thaçi  tha sot se nuk ka negociata, por biseda të cilat duken larg realizimit për shkak të qasjes jo serioze të Qeverisë së Gruevskit për zhbllokimin e procesit eurointegrues.

Këto komente ai i bëri pas takimit me Ambasadorin amerikan, Xhes Bejli në Tetovë.

“Nuk kam thënë se negociojmë por ne bisedojmë me VMRO-në, dhe fjalia ime që sot vërtetohet është se ende nuk kemi mbërri tek kjo temë e mundësisë së hyrjes së PDSH-së në qeveri. Sot sërish e përsëris të njëjtën fjali, jemi shumë larg kësaj teme shkaku sepse sinqerisht nuk vërej ende ndonjë qasje serioze të qeverisë së Maqedonisë për ta debllokuar procesin integrues”, tha ai.

Megjithatë Thaçi tha se ka indikacione serioze për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit integrues, duke shtuar se partia e tij do të përkrahë qeverinë pa rezervë, vetëm nëse ajo përkushtohet seriozisht për zhbllokimin e procesit integrues dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Sa i përket zgjidhjes së krizës politike, Thaçi deklaroi se kjo duhet të kapërcehet përmes komisionit parlamentar, sepse epilog juridik nuk do të ketë asnjëherë, ashtu siç nuk kishte edhe në të kaluarën për çështje tjera.

“Çështja e përmbylljes juridike të kësaj situate do jetë e përgjysmuar, shumë qytetarë dhe aktorë që marrin pjesë në këtë do të jenë tërësisht të pakënaqur me atë vendim. Unë mendoj se propozimi i PDSH-së për komision anketues dhe ky komision të krijojë një situatë kredibile për ato institucione që do të marrin vendime është propozimi më i mirë”, u shpreh Menduh Thaçi.