Thaçi: Iu garantoj se SHBA dhe NATO e mbështesin transformimin e FSK-së

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka garantuar se SHBA dhe NATO e mbështesin transportimin e FSK-së në Ushtri.

Lajme

14/03/2017 11:31

(I plotësuar) – “Iu garantoj se SHBA dhe NATO e mbështesin transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Debati është se a duhet të bëhet kjo përmes ndryshimeve kushtetuese apo vetëm përmes ndryshimit të ligjit. Prandaj nëse ndërkombëtarët i bindin serbët që ta votojnë ndryshimin e Kushtetutës ne do ta tërheqim ligjin dhe do ta mbështesim transformimin nga FSK në FAK. Por Kosova nuk mund të mbetet pa Ushtri”, ka thënë Thaçi, raporton lajmi.net.

Kurse në pyetjen se a qëndron edhe më tutje më deklaratën e tij të mëhershme se nëse nuk votohet Ushtria ai do të dorëhiqet nga posti i Presidentit, Thaçi është përgjigjur: “Unë qëndroj prapa deklaratave të mija, por jam shumë i sigurt se Kosova do të bëhet me Ushtri para se të largohem nga posti i presidentit”, ka thënë Thaçi.

Thaçi: I kam ruajtur raportet me SHBA-të si sytë e ballit

Duke iu përgjigjur pyetjeve për kundërshtimet ndërkombëtare, Thaçi ka thënë se propozimi i tij për formimin e Ushtrisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me dokumentin e Marti Ahtisarit dhe se askush nuk mund ta mohoj të drejtën e Kosovës për formimin e Ushtrisë.

“Roli i FSK është i përcaktuar qartë me Kushtetutë për tërë territorin e Kosovës”,  ka thënë Thaçi duke u pyetur në pyetjen se a ka të drejtë FSK të shkojë në veri të vendit.

Por ka potencuar rëndësinë e koordinimit të veprimeve me NATO-n.

Ai ka siguruar se kthim prapa në këtë proces nuk ka.

“Kam ruajtur raportet me SHBA-të si sytë e ballit. Për këtë me kanë kritikuar shumë se po tregohesha lojalist. Ndërsa iu siguroj se këto raporte nuk do të ndryshojnë, madje do të thellohen”, është përgjigjur Thaçi, raporton lajmi.net.

Thaçi: Beogradi më lehtë e ka gëlltitur shpalljen e pavarësisë sesa formimin e Ushtrisë

Thaçi ka thënë se për Ushtrinë është punuar për 17 apo 18 vite. Ndërsa Kosova ka qenë afër transformimit në FAK para zgjedhjeve të vitit 2014, për çka ka thënë se edhe ndërkombëtarët e kanë mbështetur këtë transformim.

Megjithatë ai ka thënë se për shkak të mosmbështetjes nga disa subjekte kjo nuk ka ndodhur.

“Tani çështja e FSK është e ngjashme me atë të pavarësisë së Kosovës. A po shpallet këtë fundjavë apo atë fundjavë”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti më tej ka thënë shumë se shumë herë kanë biseduar më deputetët e Listës Serbe, por sipas Thaçit, deputetët serbë e kanë bërë të qartë se për votën e tyre vendos  Beogradi.

“Mendoj se Beogradi më lehtë e ka gëlltitur shpalljen e pavarësisë sesa formimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi, raporton lajmi.net.

Thaçi: S’pranojmë të koordinohemi me Serbinë për Ushtrinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Serbia është duke e penguar Kosovën në çdo iniciativë.

Ai duke folur në një panel për ndryshimin e misionit të FSK-së ka thënë se nuk mund të pranojnë që të konsultohen me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.

“Nuk mund të pranojmë që të koordinohemi dhe të konsultohemi për ushtrinë e Kosovës me Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se nuk beson që deputetët e Kosovës do ta lënë Kosovën pa ushtri.

“Rruga jonë e preferuar për transformimin e FSK-së është ajo për  të cilën kemi punuar për shumë vite. Kjo rrugë kërkon dy tw tretat e dyfishta. Megjithatë anëtarët e Listës Srbska e kanë bërë të qartë se urdhërohen nga Beogradi për të mos e votuar Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi duke shtuar se Kosova nuk mund të konsultohet me Serbinë për çështje të shtetësisë së Kosovës./Lajmi.net/