Thaçi harron Këshillin Kundër Korrupsionit që e themeloi Jahjaga

Hashim Thaçi që nga fillimi i mandatit të tij në krye të shtetit nuk e ka mbledhur asnjëherë Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, që është themeluar nga ish presidentja, Atifete Jahjaga. Ky Këshill duhet të mblidhet së paku katër herë gjatë vitit.

Lajme

02/07/2016 08:59

Në muajt e parë të mandatit të tij si president i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur asnjë mbledhje të Këshillit Kombëtar për Luftimin e Korrupsionit, pavarësisht se Këshilli duhet të takohet së paku katër herë gjatë vitit. Kështu vlerësohet se ky mekanizëm për luftimin e korrupsionit, i themeluar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, po neglizhohet nga pasardhësi i saj.

Megjithatë, sipas subjekteve opozitare dhe shoqërisë civile ky Këshill është formuar vetëm sa për t’u dukur se po luftohet korrupsioni, ndërsa thonë se nuk ka pasur asnjë veprim konkret, pasi që mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin, i cili ka lëshuar rrënjë në të gjitha nivelet.

“Zëri” ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidentit se përse nuk është thirrur deri më tani asnjë mbledhje e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, megjithatë nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa opozita ka qenë tepër akuzuese ndaj presidentit, të cilin e quan “koka e korrupsionit”.