Thaçi fton kompanitë gjermane të investojnë në Kosovë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje kompanive gjermane që të investojnë në Kosovë.

Lajme

27/11/2015 15:01

Thaçi në fjalimin e tij, në Forumin Ekonomik gjermano-kosovarë në Berlin, të cilin e ka organizuar Shoqata Gjermano-Kosovare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se Kosova është vend i mundësive të reja, veçanërisht për investitorë serioz, ka shkruar ai, në Facebook.

“Sot mora pjesë në Forumin Ekonomik gjermano-kosovarë në Berlin, të cilin e ka organizuar Shoqata Gjermano-Kosovare për Bashkëpunim Ekonomik dhe Oda Ekonomike e Kosovës”.

“Bashkë me Ministrin Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gerd Müller dhe me sekretaren parlamentare të shtetit, njëherësh Ministre Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, para dhjetëra afaristëve gjermanë i trajtuam së bashku mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve tona. Kosova, si shtet i ri në Evropë është vend i mundësive të reja, veçanërisht për investitorë serioz që gjithnjë e më shumë po e rrisin praninë në tregun tonë. Në emër të Kosovës, ftova kompanitë gjermane që të vijnë dhe të investojnë në vendin tonë”, ka shkruar Thaçi.