Thaçi falënderon ushtarët dhe policët që Bajramin e festojnë duke mbrojtur atdheun

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi, ka uruar të gjithë qytetarët e besimit islam në Kosovë me rastin e festës së Fitër Bajramit. Por një respekt dhe urim të veçantë ka dërguar për ushtarët dhe policët që këtë ditë feste e shënojnë në krye të detyrës duke mbrojtur atdheun. 

Lajme

27/07/2014 22:17

Kryeministri Thaçi në urimin e tij të postuar në Facebook, ka thënë se duhet të lutemi edhe për mërgimtarët që janë rrugës për në Kosovë, që të vijnë sa më shpejtë dhe mirë, që të festojnë me familjet e tyre.

“Nesër është dita e Fitër-Bajramit kur edhe festojmë përfundimin e muajit të shenjte të Ramazanit duke kaluar kohë me më të afërmit tonë, duke hapur zemrat dhe dyert e shtëpisë për miq dhe familjarë dhe duke ndihmuar ata në shoqërinë tonë që kanë nevojë për përkrahje. Edhe unë do të jem me familjen time dhe Lumja, Endriti e unë që të gjithëve ju dëshirojmë me fat Bajramin”.

“Në këtë kohë mendojmë dhe lutemi edhe për mërgimtarët që janë në rrugë për të arritur sa më shpejtë në Kosovë si dhe policët dhe ushtarët tanë që nuk do të jenë në gjirin familjar duke mbrojtur kufijtë dhe atdheun. Zoti ju bekoftë juve, familjet e juaja dhe gjithë Kosovën. HTH”, ka shkruar kryeministri Thaçi. (lajmi.net)