Thaçi falënderon ekipet për vënie nën kontroll të situatës në KEK (Foto)

Kryeministri Thaçi falënderon për punën e mirë të gjitha ekipet e përfshira në operacion, të cilat nxorën punëtorët nga rreziku dhe parandaluan përshkallëzimin e mëtutjeshëm të situatës, pas shpërthimit që ndodhi sot paradite në Bllokun 5 të Termocentralit “Kosova A”.

Lajme

06/06/2014 18:10

Pasi u njoftua mbi aksidentit tragjik në Korporatën Energjetike të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u drejtua menjëherë në vendngjarje, duke ndjekur nga afër hap pas hapi të gjitha masat që çuan në vënien e situatës nën kontroll, thuhet në një komunikatë për media.

Kryeministri Thaçi pa nga afër që situata e rëndë u përballua me shpejtësi dhe profesionalizëm të madh nga ekipet e KEK-ut, Policisë, FSK-së dhe njësitë e emergjencës të QKUK-së, të cilat e treguan veten në lartësinë e detyrës.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi falënderoi për punën e mirë të gjitha ekipet e përfshira në operacion, të cilat nxorën punëtorët nga rreziku dhe parandaluan përshkallëzimin e mëtutjeshëm të situatës.

Thaçi theksoi se duke punuar me kurajo dhe përkushtim në kushte shumë të vështira, ata izoluan problemin dhe shmangën një rrezik të rëndë, që do kishte pasoja katastrofave nëse do të kishte ndodhur.