Thaçi e vlerëson real Raportin e Progresit

Thaçi mori një kopje të raporti të progresit nga Zbogar. Ai tha se Raporti i Progresit është pozitiv dhe real dhe vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën europiane të rajonit.

Lajme

16/10/2013 13:54

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mori sot nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, një kopje të Raportit të Prograsit për vitin 2013.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi falënderoi Komisionin Evropian, për punën që po bënë në mbështetje të institucioneve dhe shoqërisë kosovare, dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve për rrugën e integrimeve evropiane, thuhet në një njoftim të Zyrës për Informim të Qeverisë së Kosovës.

“Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, që vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi”, ka deklaruar Thaçi gjatë pranimit të Raportit të Progresit.

Kryeministri, po ashtu, ka  theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë fuqishëm me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në implementimin e të gjitha prioriteteve tona të përbashkëta, për zbatimin në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, në ekonomi, dhe në politikë.

“Ne do t’i marrim të gjitha këto rekomandime me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe institucionale, sepse kjo është një etapë e re për Kosovën. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht për të punuar në përmbushjen e këtyre kritereve  dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen”.

Nga ana e tij, Zbogar ka falënderuar Thaçin për përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës, për punën e bërë në realizimin e obligimeve dhe të sfidave që dalin nga Raporti i Progresit, dhe theksoi nevojën e thellimin e angazhimeve të institucioneve të Kosovës për përshpejtimin e proceseve, që të hapet perspektiva evropiane për Kosovën.