Thaçi e ripërsërit: As ndarje, e as shkëmbim territoresh në dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e ambasadorëve ka thënë se Kosova ka raporte të mira fqinjësore me shtetet e rajonit, si Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Lajme

06/09/2018 09:59

Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë edhe më Serbinë, që do t’i hapte rrugë integrimit në BE, NATO dhe OKB.

Thaçi ka thënë se një marrëveshje me Serbinë nuk do të jetë e lehtë, por është rruga e vetme, raporton lajmi.net.

Presidenti ka ripërsëritur deklarimet e tij se në këtë marrëveshje nuk do të ketë ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve e as Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

Duke folur për idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, ka thënë se kjo është një kërkesë e kahmotshme e kësaj pjese.

Thaçi gjatë fjalimit në këtë konferencë ka thënë se kërkesa për Luginën e Preshevës do të parashtrohet edhe para bashkësisë ndërkombëtare.

“Mbyllja e procesit me Serbinë do t’i hap rrugë të re diplomacisë tonë”, ka thënë Thaçi.

I pari i vendit në këtë konferencë, ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku ka thënë se duhet vazhduar angazhimin./Lajmi.net/