Thaçi e Gjukanoviq biseduan edhe për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar takimet në Podgoricë me krerët më të lartë të Malit të Zi, ndërkohë që protesta e organizuar kundër vizitës së tij ka përfunduar me incidente të vogla mes protestuesve pro-serbë dhe policisë.

Lajme

16/01/2015 16:11

Pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiq, Thaçi ka vazhduar takimin me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe infrastrukturore mes dy shteteve.

Me këtë takim zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri malazez Gjukanoviq janë pajtuar që të vazhdohet ndërtimi i rrugëve dhe linjave hekurudhore do lidhin dy shtetet. Kjo sipas tyre do të nxisë shkëmbimet tregtare mes dy shteteve dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Ata kanë biseduar edhe për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi. 

Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë janë urë lidhëse mes dy shteteve dhe ka paralajmëruar se shumë shpejt komuniteti malazez do të jenë pjesë e mbrojtës kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve.

Zëvendëskryeministri Thaçi është pritur në takim edhe nga kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiq, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes dy parlamenteve.

Po ashtu edhe për interaksion më të madh të diplomacisë parlamentare.

Zëvendëskryeministri Thaçi gjatë qëndrimit në Podgoricë është takuar gjithashtu me përfaqësuesit kryesore të bizneseve malazeze, ku ka kërkuar më shumë shkëmbim tregtar mes bizneseve kosovare dhe atyre të Malit të Zi.

“Ne kemi krijuar lehtësira për investimet e huaja, prandaj dëshirojmë të shohim më shumë investime të bizneseve malazeze në Kosovë dhe bizneseve kosovare në Mal të Zi”, ka thënë Thaçi në takim me 15 përfaqësues të bizneseve kryesore në Mal të Zi.

Ndërsa pasditen e vonshme, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me përfaqësuesit kryesorë politik shqiptarë në Ulqin, me të cilët do të bashkëbisedoj për gjendjen aktuale të shqiptarëve si dhe avancimin e drejtave të tyre në Mal të Zi.

Kjo është vizita e parë zyrtare e zëvendëskryeministrit Thaçi në këtë shtet fqinj dhe po përcjellët me një interes shumë të madh të medieve dhe opinionit publik në Mal të Zi.