Thaçi: Djegia e veturës së familjes Krasniqi akt i shëmtuar, me motive politike

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka dënuar aktin e djegies së veturës familjare të ministrit të Bujqësisë Memli Krasniqi, i cili është edhe nënkryetar i PDK-së.

Lajme

24/02/2016 11:42

Thaçi ka thënë se ky është një akt i shëmtuar dhe shantazhues. Thaçi me anë të një postimi në facebook, ka thënë se ky është sulm me motive politike që ka për qëllim të zmbrapsë nga qëndrimet dhe bindjet politike ministrin Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Ja postimi i plotë i Thaçit:

Me indinjatë të thellë dënoj ashpër aktin e shëmtuar të djegies së makinës së familjes së Memli Krasniqit gjatë natës së kaluar. Ky akt i shëmtuar ka synuar të terrorizojë familjen Krasniqi dhe ka qenë një mjet shantazhues për t’u zmbrapsur prej qëndrimeve dhe bindjeve politike të ministrit Krasniqi.

Ky ishte sulm me motive të qarta politike që cenon hapur pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Këto janë disa nga vlerat më të çmuara të shoqërisë dhe nuk do të lejojmë askënd që ti kërcënojë ato nëpërmjet dhunës. Unë i shpreh keqardhjen dhe solidaritetin familjes Krasniqi për ngjarjen e rëndë me të cilën janë përballur dhe i siguroj që gjithë qytetarët e ndershëm të Kosovës e konsiderojnë atë veprim të papranueshëm dhe të dënueshëm. Unë bëj thirrje për një veprim të shpejtë dhe të vendosur të organeve të rendit publik për të kapur dhe vënë para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të ulët vandal. HTH