Thaçi: Dje u dhunua Kuvendi

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi ka vlerësuar se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e Kryetarit të Kuvendit, ka qenë e jashtëligjshme.

Lajme

18/07/2014 12:01

Sipas tij, këtë kjo gjë u bë nga liderë partiak, që nuk fituan asnjë palë zgjedhje për 15 vjet më radhë.

Thaçi përmes postimit në profilin e tij në Facebook, i akuzoi partitë e bllokut, se e kanë dhunuar organin më të lartë në vend.

“Dje pamë skena jo të dinjitetshme për demokracinë kosovare, të nxitura nga liderë politikë që kurrë në jetën e vet nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje tash e 15 vjet në Kosovën e lirë”.

“Partitë politike humbëse të zgjedhjeve të 8 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet në fuqi dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, si dhe në kundërshtim me vullnetin dhe verdiktin e qytetarëve të vendit, dhunuan institucionin më të lartë të vendit, duke e shndërruar atë në arenë të imponimit arbitrar të tekeve”.

“PDK duke i konsideruar si krejtësisht të kundërligjshme dhe jovalide vendimet e marra nga uzurpatorët e seancës së djeshme konstituive, shpreh qëndrimin e saj se këto vendime që dolën nga një proces antiligjor, antidemokratik dhe antikushtetues janë të pavlefshme. Të barabarta me një zero të madhe”.

“Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lidhje me zhvillimet e dhunshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kërkuar rivënien e legalitetit dhe legjitimitetit në këtë institucion”.

“Ne jemi zotuar ta ruajmë qetësinë karshi këtyre zhvillimeve të pashembullta dhe amatore. Besoni në shtetin që e kemi ndërtuar së bashku dhe në funksionimin demokratik dhe legal të institucioneve të Republikës së Kosovës”.