Thaçi dekretoi Fehmi Mehmetin guvernator të BQK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka dekretuar guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Lajme

29/03/2018 11:32

Presidenti Thaçi ka thënë se Banka Qendrore ka arritur të mbajë stabil sistemin financiar në Kosovë.

“Si institucion rregullativ në sistemin financiar, në përputhje me standardet bashkëkohore, BQK-ja i ka kontribuar zhvillimit dhe rritjes ekonomike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, guvernatori Mehmeti ka thënë se Banka Qendrore i ka mbështetur në vazhdimësi politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë së Kosovës.

“Ne do ta ruajmë stabilitetin financiar, duke promovuar sisteme të sigurta, efikase dhe të qëndrueshme”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

Presidenti Thaçi i ka dëshiruar suksese guvernatorit Fehmi Mehmeti në detyrën e re.