Thaçi: Çdo marrëveshje me Serbinë, do të kalojë nëpër institucionet e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë për media para takimit që do të zhvillojë të dielën në Bruksel me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Lajme

20/06/2018 10:39

Thaçi aty tha se dialogu do të shërbejë në të mirë të përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke u shprehur  se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kanë në interes të tyre gjetjen sa më shpejtë të një zgjidhjeje mes dy vendeve, shkruan lajmi.net.

“Kjo do të shërbejë për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO, si dhe për të siguruar vendin e merituar të Kosovës. Kosova në fazën finale të dialogut me Serbinë do ta ketë mbështetjen e SHBA-së të cilat janë të interesuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Edhe BE-ja është e interesuar më shumë se kurrë që të arrihet një marrëveshje si kusht për anëtarësim në BE”, u shpreh Thaçi.

Thaçi shtoi se palët në këtë dialog nuk mund të sillen në mënyrë emocionale apo me tone nacionaliste, përkundër kësaj ai tha se vetëm fryma evropiane do të dërgojë Kosovën drejt perspektivës euroatlantike.

“Nuk mund të sillemi në mënyrë emocionale apo me tone nacionaliste apo populiste, vetëm fryma evropiane do ta dërgojë Kosovën përpara drejt perspektivës euroatlantike. Kjo shkon edhe përtej partive politike dhe raporteve afatshkurta”, deklaroi ai.

Thaçi po ashtu tha se është e domosdoshme që Kosova të krijojë një ekip gjithëpërfshirës, në mënyrë që të përfaqësohet sa më denjë, dhe si i tillë, sukseset të arrihen bashkërisht.

Ai shtoi se çfarëdo marrëveshje të arrihet në Bruksel, së pari do të kalojë nëpër institucionet e Kosovës dhe ratifikimin e Kuvendit.

“Kosova do të përfaqësohet në mënyrë të denjë, dhe do të dalë fituese nga ky dialog. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se procesi do të jetë transparent. Në çdo rrethanë dialogu do të udhëhiqet në mënyrë institucionale dhe të përgjegjshme. Edhe marrëveshja që do të arrihet do të kalojë nëpër institucionet e Kosovës dhe ratifikimin e Kuvendit”, përfundoi Thaçi.