Thaçi bën thirrje për fushatë pa urrejtje

Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve në vend, që të zhvillojnë një fushatë sa më të qetë e dinjitoze në mënyrë që Kosova t’ia dëshmojë botës, se ka tashmë një demokraci funksionale e të konsoliduar.

Lajme

27/05/2014 16:27

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili garon në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit që të fitojë edhe mandatin e tretë për kryeministër, përmes një deklarate për media ka kërkuar të shmanget gjuhae e urrejtjes.  

“Unë do kërkoj prej strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, por kërkoj edhe prej liderëve të partive të tjera politike, që të gjithë së bashku t’iu bëjmë apel simpatizantëve tanë që të mbajnë nën kontroll pasionet e tyre dhe të zhvillojnë një fushatë sa më qytetare dhe dinjitoze, duke kultivuar frymën e pluralizmit, tolerancës dhe mirëkuptimit”.

“Duhet që të gjitha palët garuese të shmangin gjuhën e urrejtjes, fyerjes dhe shpifjes, të zbatojnë me rigorozitet kodin zgjedhor dhe të respektojnë plotësisht bindjet e kundërshtarëve politik”.

“Unë ftoj gjithashtu të gjitha palët që t’i nënshtrohen një fushate të drejtë mbështetur në debate përmbajtësore për çështje konkrete në interes të qytetarëve dhe mos të degradojnë në sulme banale personale”.

Kryeministri ka thënë se ka ardhur koha që elita politike të dëshmojë që konkurron me vizione të qarta, me programe të menduara mirë dhe platforma politike të përpunuara, që shohin nga e ardhmja dhe që i japin më së miri përgjigje interesave të popullit dhe shtetit.