Thaçi akuza për deputetët që braktisën VV-në: Keqpërdorimi i votës më i madh se sa “vjedhja industriale”

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës nga Vetëvendosje, Jusuf Thaçi, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të 13 deputetëve që braktisën partinë e Albin Kurtit, për të krijuar grup të ri parlamentar.

Lajme

14/03/2018 19:36

Thaçi ka thënë se këta deputetë e kanë shfrytëzuar Vetëvendosjen për vota, duke e quajtur keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve.

“Të shfrytëzosh një subjekt politik për të fituar 13 mandate deputetësh dhe 2 kryetarë komunash dhe ta marrësh këtë pushtet e bashkë me atë të ikësh nga ai subjekt politik, kjo përbën keqpërdorimin më të madh të votës së qytetarëve dhe shtrembërimin më masiv të vullnetit të qytetarëve të Kosovës që nga paslufta. Për nga përmasat, ky keqpërdorim i votës e ky shtrembërim i vullnetit të qytetarëve është larg më i madh se sa “vjedhja industriale” në zgjedhjet e vitit 2010, prandaj kjo është grabitje e votës së qytetarëve. Këtë fakt duhet ta dinë dhe ta kapërdijnë të larguarit nga LVV. Justifikimi i tyre se ata janë zgjedhur nga qytetarët me emër e mbiemër është mashtrim dhe kjo do të dëshmohet në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në Facebook./Lajmi.net/