Teza folklorike e pajtimit të serbëve me shqiptarët

Diplomacia serbe është tepër e varfër në veprimin dhe në konceptet e saj për përmirësimin real të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo dëshmohet nga përsëritja e dy-tri tezave kryesore konceptuale, të cilat kalojnë nga një qeveri serbe te tjetra dhe nuk kanë efekt real në marrëdhëniet midis dy shteteve. Një ndër to është edhe teza e pajtimit të serbëve me shqiptarët, të cilën me kujdes të lartë propagandistik e ka vendosur në platformën e tij publike të marrëdhënieve me Shqipërinë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Në çdo prag takimesh në nivel të lartë midis dy shteteve apo në prag të samiteve rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuara nga shtetet e Bashkimit Europian, kryeministri serb parashtron tezën e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Kështu veproi edhe në 16 gusht, kur njoftoi solemnisht në prani të nënpresidentit amerikan se ai në vjeshtë do të takohej me Kryeministrin e Shqipërisë dhe do të ndërmerrte aksionin e madh diplomatik të pajtimit të serbëve me shqiptarët, madje shpalli edhe objektivin e madh “të arritjes së një marrëveshjeje midis serbëve dhe shqiptarëve”.

Opinion

30/08/2016 20:12

Shkruan: Shaban Murati

Në planin teorik, Kryeministri i Serbisë dhe diplomacia serbe parashtrojnë një tezë dhe një koncept të gabuar mbi kuptimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis shteteve në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në marrëdhëniet ndërkombëtare pajtohen shtetet në fillim dhe pastaj popujt. Përvoja historike, qoftë europiane, qoftë ndërkombëtare, qoftë rajonale, provon se janë qeveritë dhe shtetet që pajtojnë popujt, dhe jo popujt që pajtojnë shtetet. Dhe, po të marrim shembullin më klasik të pajtimit ndërkombëtar në historinë moderne të Europës, që është ai midis Francës dhe Gjermanisë, është një pajtim që i vendosi themelet pajtimit midis dy qeverive dhe institucioneve shtetërore, dhe pastaj erdhi pajtimi midis popujve. Do të duhej Traktati i Elizesë i 22 janarit 1963, i nënshkruar nga burrat e mëdhenj të shtetit, si kancelari gjerman Konrad Adenaur dhe presidenti francez Sharl de Gol, që të shtrohej autostrada reale e pajtimit shtetëror, që do të përbënte një kthesë historike të miqësisë dhe të bashkëpunimit shtetëror franko-gjerman dhe të dy popujve dhe të hidhte themelin e fortë të një Europe stabël dhe paqësore.

Qeveria dhe diplomacia serbe ofrojnë të kundërtën. Ofrojnë një koncept marksist, sipas të cilit popujt drejtojnë shtetet, gjë që në fakt nuk është provuar në asnjë rast, qoftë edhe të vetëm, në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci miqësitë shkojnë nga lart-poshtë dhe jo nga poshtë-lart. Në gjithë historinë 1300-vjeçare të përplasjes strategjike, nacionale dhe gjeopolitike midis serbëve dhe shqiptarëve, e vetmja periudhë “miqësie” midis Serbisë dhe Shqipërisë, ka qenë ajo e viteve 1944-1948, kur Shqipëria komuniste ishte satelit i Serbisë komuniste. Mendimi im është se qeveria dhe diplomacia e Serbisë e njohin dhe e dinë praktikën e hekurt historike, sipas së cilës pajtimin e bëjnë qeveritë dhe shtetet, dhe pastaj vjen produkti i pajtimit të popujve përkatës. Thelbi i tezës shterpë serbe është që të devijojë detyrën e vendosjes së pajtimit real midis shtetit të Serbisë dhe dy shteteve shqiptare në rajon. Teza serbe e pajtimit të serbëve me shqiptarët në rajon, nuk ka efekt në vendosjen e një pajtimi shtetëror dhe bashkëpunimi të barabartë midis shtetit të Serbisë dhe dy shteteve shqiptare në rajon.

Për sa u raporteve midis Serbisë dhe Shqipërisë, teza e pajtimit të serbëve me shqiptarët shmang krijimin e marrëdhënieve shtetërore të barazisë dhe të respektit reciprok në planin shtetëror. Në planin letrar, pajtimi shqiptaro-serb tingëllon si metaforë e bukur, por Aleksandër Vuçiç, dy herë Kryeministër i Serbisë, nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje të rëndësishme dhe të parëndësishme dypalëshe me Shqipërinë. Ai premtoi në vitin 2014 se do të nënshkruante marrëveshjen e njohjes së diplomave me Shqipërinë dhe sot e kësaj dite nuk e ka mbajtur premtimin. Është një marrëveshje, që pala shqiptare ia ka paraqitur Serbisë që në vitin 2002. Serbia nuk lejon shtetasit e Shqipërisë dhe mjetet e transportit të Shqipërisë të hyjnë në territorin e saj nga Kosova. Serbia nuk lejon as tekstet shkollore të Shqipërisë me simbolet kombëtare dhe shtetërore tonat. Kjo mungesë gatishmërie bashkëpunimi dypalësh nuk mund të fshihet me slogane efemere të pajtimit historik midis serbëve dhe shqiptarëve. Gatishmëria shtetërore, qeveritare dhe diplomatike matet me vepra dhe me marrëveshje. Nuk matet me “party” dygjuhëshe të grupeve rinore, dhe as me salsiçet serbe, që mendjelehtët e Tiranës sjellin në panairet e librave, dhe as me hamburgerët me mish “serbo-shqiptar”, që shiten në Prishtinë. Shteti nuk është folklor dhe as nuk duhet të lejojë që shtetet e tjera të bëjnë folklor me historinë, me të drejtat dhe me dinjitetin e kombit shqiptar.

Beogradi tenton ta joshë Tiranën, duke i dhuruar mandatin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve në këtë spektakël virtual të pajtimit rajonal shqiptaro-serb. Dhe në shkëmbim të këtij mandati iluzor, Shqipërisë i kërkohet të harrojë që Kosova është shtet i pavarur, subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare, të cilin e kanë njohur 111 shtete të botës. Është një hile e vjetër diplomatike e Serbisë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë, që nga viti 2000, për të imponuar pikëpamjen dhe qëndrimin se Shqipëria dhe Serbia duhet të përparojnë marrëdhëniet e tyre, pavarësisht se çfarë bën Serbia në Kosovë dhe çfarë bën Serbia me shqiptarët e Kosovës. Është një hile diplomatike, në kurthin e së cilës kanë rënë edhe disa drejtues të qeverive dhe të diplomacisë shqiptare, të cilët të kompleksuar nga ndjenja e inferioritetit ndaj Serbisë, kanë qenë të gatshëm t’i bëjnë lëshime strategjike asaj në dëm të çështjes kombëtare.

Janë dy elementë të rëndësishëm jetikë për t’u vënë në vëmendjen e përhershme të institucioneve të shtetit, të qeverisë dhe të diplomacisë shqiptare. Së pari, që Kosova është shtet i pavarur, me të drejta të plota si të gjitha shtetet e tjera të sistemit ndërkombëtar të shteteve. Serbia duhet ta njohë dhe pranojë këtë realitet politik në rajon dhe Shqipëria e ka për detyrë, në forma dhe në rrugë diplomatike dhe politike, të ushtrojë presion mbi Beogradin që të njohë Kosovën si shtet. Elementi i dytë është që Kosova përbën një shtet shqiptar, një entitet shtetëror pjesë e pandarë e çështjes sonë kombëtare, dhe është kusht sine qua non që avancimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë të kushtëzohet nga marrëdhëniet dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës. Pa njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia, nuk mund të mendohet një bashkëpunim real midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Për sa u përket raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, teza serbe e pajtimit historik të shqiptarëve me serbët në rajon, përmban strategjinë e nulifikimit të statusit të Kosovës si shtet i pavarur. Në vend të marrëdhënieve shtet me shtet midis Serbisë dhe Kosovës, kryeministri serb i ofron Kosovës pjesëmarrje si shqiptarë në delegacionin e madh të pajtimit shqiptaro-serb. Është një qëndrim i rrezikshëm serb, i cili kërkon të zhbëjë pavarësinë e Kosovës, kërkon t’i rikthejë Kosovës statusin e kolonisë serbe. Kjo tezë përpiqet të fshijë përgjegjësinë e madhe historike të Serbisë për krimet, masakrat dhe spastrimin etnik që ka kryer në Kosovë. Nuk mund të klasifikohet ndryshe, veçse si cinizëm, qëndrimi i kryeministrit serb, i cili në vend që të kërkojë falje për agresionin dhe krimet e Serbisë në Kosovë, deklaroi në 16 gusht se “në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve shumë njerëz bënë një numër gabimesh”. Përzierja e krimit me pafajësinë, e së keqes me të mirën, e agresorit me viktimën, shfaqet si një taktikë qeveritare dhe diplomatike për të përligjur masakrat dhe spastrimin etnik në Kosovë me termin “gabime”. Mbi këtë platformë e kërkon pajtimin shqiptaro-serb Vuçiçi. Nuk mund të presësh tjetër nga kryeministri, i cili ka dalë nga manteli i Sllobodan Millosheviçit, dhe është kryetar i qeverisë, ku zëvendëskryeministri i parë e shpalli hero të Serbisë para pak ditësh kasapin e Ballkanit, Millosheviç, dhe propozoi që t’i ngrihej monument nga shteti. Vetëm kur Serbia të ndërmarrë dy hapat e mëdhenj, të detyrueshëm në çdo lloj pajtimi ndërkombëtar, që janë kërkesa e faljes për krimet në Kosovë dhe pagesa e reparacioneve për viktimat, dëmet dhe shkatërrimet e shkaktuara në Kosovë, ahere do të dëshmojë se vërtet dëshiron të hyjë në rrugën e pajtimit real midis Serbisë dhe Kosovës si shtete.

Teza e kryeministrit serb komprometon edhe bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, që zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së. Komprometon marrëveshjet e nënshkruara atje, dhe sidomos marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, ku Serbia është angazhuar se nuk do të pengojë integrimin e Kosovës në BE si anëtare, pra si shtet i pavarur. Duke e shndërruar raportin Serbi-Kosovë thjesht në një raport njerëzish dhe grupesh etnike, kryeministri serb i jep trajtën e marrëdhënieve ndërnacionale brenda shtetit serb, dhe fshin statusin e Kosovës si shtet i pavarur, dhe bashkë me të fshin detyrimin ndërkombëtar të Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.

Absurditeti diplomatik i tezës serbe shfaqet më hapur me propozimin e Vuçiçit për të arritur “një marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve”. Në gjithë historinë e njerëzimit, të shteteve dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëveshjet, qoftë edhe midis tribuve, janë arritur nga përfaqësitë e tyre dhe nuk kanë marrë pjesë në tratativa gjithë popujt përkatës. Kryeministri serb nuk e sqaroi nëse Serbia do të pranojë që shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i përfaqësojnë Tirana dhe Prishtina. Nuk tha as se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë apo se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët e Malit të Zi, as se kush do t’i përfaqësojë në këtë grumbullim apo kuvend virtual serbo-shqiptar, shqiptarët që jetojnë në shtete të tjera ballkanike. Konfuzioni është total, dhe ky është edhe qëllimi i tezës serbe, që të krijojë konfuzion te shqiptarët dhe për shqiptarët. Janë pikëpamje tipike bizantino-ballkanike me etiketa populisto-marksiste, të cilat në mesin e verës përpiqen të fryjnë imazhin e Serbisë si shtet kryesor paqebërës në rajon. Është një populizëm ballkanik me një destinacion eksporti diplomatik për në Europë.

Teza serbe e pajtimit historik midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon është një tezë e vjetër, e përdorur që nga koha e kryeministrit Xhinxhiç, e kryeministrit Koshtunica, e presidentit Tadiç, dhe tani e kryeministrit Vuçiç. Është vazhdimësi konceptesh dhe ndërtimesh asimetrike të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Shqipërisë, ku shqiptarëve u jepet statusi i turmës dhe jo i shtetit. Është koncepti hierarkik, që është ngurosur në udhëheqjen serbe për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Nuk të habisin shumë qëndrimi dhe konceptet e qeverive dhe të diplomacisë serbe. Ajo që të habit, është se gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur drejtues të qeverive dhe të diplomacisë shqiptare, të cilët e kanë përqafuar tezën serbe si një gjetje të madhe. A ka ardhur kjo nga infantiliteti, nga injoranca apo nga inspirime okulte, a ka ardhur nga ndikimi i atyre që një miku im publicist i njohur i quan “këshilltarë jugosllavë të Tiranës”, kjo mbetet detyrë e historisë së diplomacisë shqiptare. Pajtimi real as nuk ka ndodhur dhe as mund të ndodhte në këtë formatim konceptual.

E përsërisim: në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në diplomaci, pajtimin e realizojnë shtetet dhe qeveritë, dhe pastaj shkojnë efektet te popujt. Ringjallja e koncepteve marksiste rreth popujve, që drejtojnë qeveritë, është thjesht një përpjekje për të retushuar përmbajtjen e njëjtë antishqiptare të kursit të Beogradit ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar.