Tevez do të pensionohet në Boca Juniors

Carlos Tevez ka bërë të ditur se dëshiron të përfundojë karrierën si futbollist në Boca Juniors. Ylli i Juventusit paralajmëron se do ta respektojë kontratën me kampionin e Italisë, por planifikon të pensionohet në vendlindje.

Sport

11/06/2014 22:02

Carlos Tevez ka bërë të ditur se planifikon të përfundojë karrierën te ish skuadra e tij, Boca Juniors.

Sulmuesi i Juventusit shkëlqeu në edicionin e tij të parë në Serie A duke qenë një prej futbollistëve kryesorë në ekipin e Antonio Contes që fitoi titullin e tretë të njëpasnjëshëm të kampionit të Italisë.

Mirëpo, ylli argjentinas ka paralajmëruar se nuk do t’i japë fund karrierës në Torino.

“Ëndrra ime është të përfundoj karrierën në Boca Juniors. Boca është klubi i vetëm në Argjentinë ku mund të luajë”, deklaroi Tevez për mediet argjentinase. Por, kjo nuk do të ndodhë së shpejti.

“Kam ende edhe dy vjet kontratë me Juventusin”, u shpreh ai.

Tevez iu bashkua Juventusit në verën e vitit të kaluar nga Manchester City dhe është adaptuar mjaft mire te gjiganti torinez.