Tetë vatra zjarri në Shqipëri

Vijon të jetë problematike situata e zjarreve në Shqipëri, ku si pasojë e temperaturave të larta flakët përhapen me shpejtësi.

Lajme

21/07/2017 10:53

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në Shkodër, Vlorë, Berat, Tiranë, dhe Gjirokastër dhe Fier.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 105 zjarrfikës me 11 automjete, 21 forca vullnetare si dhe helikopterë.

Shërbimet e Emergjencave Civile japin të dhënat e fundit, ndërsa thonë se janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

Qarku Shkodër– Vatrat e zjarrit në fshatin Lumzi dhe Lumbardhë në Fushë- Arrëz janë shuar. Shërbimi zjarrfikës, forca të pyjores, vullnetarë të mbështetur nga ajri dhe me helikopterë, pas disa orë punë kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë është djegur një sipërfaqe prej rreth 5 ha me bredh, pishë dhe lis.

Qarku Tiranë- Në fshatin Beden, Kavajë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pemë frutore. Pas 3 orësh punë forcat zjarrfikëse ka arritur të shuajnë zjarrin plotësisht. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 22 ha me shkurre dhe ferra, 200 rrënjë ullinj dhe 40 pisha të reja.

Qarku Fier- Në fshatin Kuqar, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra dhe ullinj. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë duke mos lejuar përhapjen e flakëve. Nga zjarri është djegur një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe ferra, si dhe 200 rrënjë ullinj e 50 rrënjë dardha.

Në Qafën e Lalarit, Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Hamil, Fier, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë u dogj një sipërfaqe 1.5 ha me shkurre dhe ferra dhe 100 rrënjë ullinj të rinj.

Qarku Vlorë- Në fshatin Dukat, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse zjarri është izoluar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 1 dynym me shkurre e ferra.

Qarku Berat- Në fshatin Memias, Berat, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe me shkurre dhe ferra rreth 1.2 ha.

Qarku Gjirokastër- Në Vrisera, Gjirokastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 2 dynym me shkurre dhe ferra.