Tetë arsye për të konsumuar mango

Filloni ditën tuaj me këtë frutë, qoftë duke e konsumuar atë të freskët apo në formë lëngu, pasi kështu lehtësoni funksionimin e trurit, duke e bërë mangon një aleat të vlefshëm, sidomos për ata që duhet të shfrytëzojnë në maksimum kapacitetet e tyre krijuese

Lifestyle

02/08/2017 21:01

Keni parasysh shprehjen e famshme : “Një mollë në ditë mban larg mjekun”? Rikujtojeni këtë shprehje edhe në rastin e mangos. Ky frutë ekzotik cilësohet si burim shumë i mirë për shëndetin tonë. I pasur me shumë vitamina, mango  duhet të bëhet patjetër pjesë e listës së ushqimeve që konsumoni. Madje dietologët për të përforcuar këtë ide japin tetë arsye përse nuk duhet të neglizhoni konsumimin e mangos, qoftë si frutë apo edhe lëng të freskët.

Arsyet

Së pari, falë vitaminës B6 e pranishme në mango, e cila luan një rol themelor në formimin e neurotransmetuesve, ndihmon për të siguruar humor të mirë dhe një pushim të shëndetshëm. Gjithashtu mango është edhe një burim i mirë i glutaminës (aminoacid), e cila përmirëson kujtesën dhe rrit përqendrimin. Filloni ditën tuaj me këtë frutë  qoftë duke e konsumuar atë të freskët apo në formë lëngu, pasi kështu lehtësoni funksionimin e trurit, duke e bërë mangon një aleat të vlefshëm sidomos për ata që duhet të shfrytëzojnë në maksimum kapacitetet e tyre krijuese.

Së dyti, përmban antioksidantë që janë tejet të domosdoshëm për lëkurën, (mes të cilëve lupoel, i cili njihet për vetitë e tij anti-inflamatore dhe antikancerogjene), kripëra minerale, (veçanërisht potasium, kalcium e magnez), si dhe vitaminat A, C dhe E. Të gjithë këta përbërës e bëjnë mangon një aleat të fuqishëm të bukurisë dhe shëndetit të lëkurës. Por edhe nëse nuk dëshironi ta konsumoni si frutë apo në formë lëngu, ju mund ta përdorni si maskë për fytyrën. Me fetat e mangos krijoni një pure, përziejeni me kos, vendoseni mbi fytyrë për rreth pesëmbëdhjetë minuta, më pas shpërlajeni me ujë të vakët.

Së treti, mango pastron mëlçinë. Prania e disa antioksidantëve në mango lehtëson përpunimin e “mbeturinave”  që grumbullon mëlçia. Kështu që konsumimi i rregullt i mangos, ndoshta në formën e lëngut në mëngjes, ndihmon mëlçinë për të kryer këtë funksion themelor për organizmin  duke mbrojtur edhe nga rreziku i prekjes nga tumori.

Së katërti, ndihmon në mbrojtjen e imunitetit. Sikurse e thamë më sipër ky frutë ekzotik burim i mirë i vitaminave A dhe C, të cilat mbrojnë organizmin nga radikalet e lira dhe forcojnë sistemin imunitar, në të njëjtën kohë ndihmon trupin tonë për t’u mbrojtur kundër infeksioneve të ndryshme, pa qenë e nevojshme të përdorim ilaçe.

Së pesti, mban sytë tanë të shëndetshëm. Një mango mesatarisht përmban 72% të sasisë së rekomanduar ditore të vitaminës A, e cila është thelbësore për shëndetin e syve. Si rezultat konsumimi rregullisht i këtij fruti jo vetëm mbron shikimin, por edhe ndihmon për të parandaluar sytë e thatë dhe verbërinë.

Së gjashti, është një frutë i mirë për verën pasi ruan shëndetin tonë nga goditjet e të nxehtit.

Për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit, mango shuan etjen. Provoni ta konsumoni atë si lëng të freskët, të përzier me ujë dhe akull,  shikoni rezultatin dhe ndihmën që i jep trupit tonë për të ruajtur hidratimin dhe për të parandaluar goditjet e të nxehtit.

Së shtati, redukton kolesterolin. Përqendrimi i lartë i fibrave dhe pektinës ndihmon për të ulur nivelet e kolesterolit, ndërsa përqindja e lartë e kaliumit (pasi mango përmban 564 mg, 16 % e shumës së rekomanduar ditore të kaliumit) ju lejon të mbani nën kontroll tensionin e gjakut.

Së teti, lehtëson tretjen. Enzimat e pranishme në sasi të mëdha në mango lehtësojnë tretjen, ndërsa fibrat (një frutë mbulon 20% të kërkesës ditore për fibra) janë të dobishme për shëndetin e zorrëve , sepse duke vepruar në peristalsi (muret e brendshme të zorrëve) të ndihmojnë në rast të kapsllëkut duke promovuar eliminimin e mbeturinave. /Lajmi.net/