Testohen “Dardanët e rinj” në Zvicër

Federata e Futbollit të Kosovës nuk po ndalë angazhimin e saj në rekrutimin e talentëve të rinj.

Sport

08/12/2018 22:45

Pas kampit të mbajtur në Gjermani për gjeneratën U-15, “Dardanët e rinj” janë mbledhur edhe në Zvicër.

Interesimi i prindërve në diasporë, dhe vet fëmijëve që të angazhohen dhe të marrin pjesë në grumbullimet e Kosovës, është shenjë jashtëzakonisht e mirë për Kosovën.

Sikur në Gjermani, ashtu edhe në Zvicër, këto kampe kanë qenë të mbushura me fëmijë që i udhëhiqte dëshira e madhe dhe dashuria për Kosovën.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të FFK-së, që tregon për fillimin e këtij kampi:

8 dhjetor, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës po punon pareshtur në të gjitha segmentet me qëllim që në të ardhmen të ketë paraqitje sa më të mira me ekipet e kombëtareve në fushatat kualifikuese. Kësisoj, sot, në Cyrih ka filluar kampi i radhës dyditor i Kombëtares U15. Pas kampit në Gjermani, trajnerët Gazmend Haliti, Isa Sadriu, Besnik Kollari dhe Valmir Bytyqi janë zhvendosur në Zvicër, ku Federata e Futbollit e Kosovës e ka mundësuar mbajtjen e kampit të radhës për seleksionimin e talenteve të futbollit të kësaj grupmoshe që aktivizohen në klubet zvicerane. Në këtë kamp po marrin pjesë 70 futbollistë dhe përkushtimi dhe motivi për të treguar cilësitë  e tyre para trajnerëve është i madh. /Lajmi.net/