Testit të Maturës në afatin e dytë do t’i nënshtrohen 9 mijë nxënës

Komisioni Shtetëror i Maturës ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar rreth përgatitjeve për afatin e dytë të Maturës Shtetërore 2018. Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Maturës kanë miratuar edhe një dokument me informacione të rëndësishme rreth afatit të gushtit.

Lajme

17/08/2018 16:41

Në këtë afat, testit do t’i nënshtrohen rreth 9000 maturantë, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit të testimit do të angazhohen 600 administrues dhe 70 komisionarë (kryetarë të Qendrave Testuese)

Paraqitja e provimit të maturës ka filluar dhe afati është i hapur deri më 24 gusht 2018. Sipas njoftimit nga ministria e Arsimit,  ka filluar edhe grumbullimi i shënimeve për nxënës, shkolla dhe komuna, kurse lista përfundimtare e administruesve dhe Qendrave Testuese do të përfundojnë deri më 24 gusht 2018.

Pjesa e parë e tetit të maturës do të organizohet më 28 gusht 2018, pjesa e dytë e testit më 1 shtator 2018, ndërsa publikimi i rezultateve do të bëhet 10 shtator 2018.

KSHM po ashtu ka bërë të ditur se afati i ankesave do të jetë nga 11 deri më 13 shtator 2018, ndërsa rezultatet e ankesave do të bëhen të ditura një ditë më vonë, pra më 14 shtator 2018.

Po ashtu, në këtë mbledhja anëtarët e Këshillit të Maturës Shtetërore u zotuan që vendimet e Ministrit Bytyqi të zbatohen në përpikëri dhe për këtë qëllim është paraparë njoftimi për Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe takimi i të gjithë komisionarëve të MAShT-it.