Testi politik i Liberalizimit të vizave

Politika kosovare duhet ta përkthejë konsensusin politik për Liberalizimin e vizave dhe për ndërmarrjen e inkuadrimit të Kosovës në BE, në një bashkërenditje vepruese e cila konkludohet me një arritje nga e cila përfiton çdo qytetar i Kosovës.

Opinion

12/05/2016 13:05

Sensi a nervi i qytetarëve të Kosovës, është gjithsesi indikator shumë i veçantë i cili duhet të mirret parasyshë gjithmonë prej politikanëve në vend.

As gjysmë dite pasiqë u dha kumti, nga Komisioni Evropian në Bruksel, që Kosova ka marrë Rekomandimin Pozitiv për Liberalizimin e vizave, u krijua rreshti i qytetarëve në kërkim të pasaportës biometrike të Republikës së Kosovës.

Ky reagim imediat e kosovarëve të rëndomtë, nuk ka si të mos shpie në një sërë shpjegimesh a interpretimesh.

Së pari, qytetarët e Kosovës kanë ende besim të plotë në fjalët që vijnë nga Brukseli. Diçka e tillë, natyrisht, nuk është në fuqi kur përshkruhet raporti i qytetarëve dhe i politikanëve të vendit, por në rastin e Brukselit  (edhe më shumë, në atë të Washingtonit), s’do mend që kosovarët mendojnë që zotimi i dhënë i BE-së do të mbahet apo do të përmbushet, dhe që brenda pak muajsh, do të mund të udhëtohet në Zonën e Schengen-it vetëm me pasaportën biometrike të Kosovës, pa pasë nevojë për viza.

Së dyti, mësymja e kosovarëve për pasaporta, tregon që këtupari është një dëshirë e madhe për ‘ta parë Evropën’, dhe natyrisht, për t’i vizituar të afërmit të cilët një herë skamja sociale, e pastaj edhe zullumi i vazhdueshëm i Serbisë, i ka shpërndarë në të katër anët e Evropës. Shqiptarët e Kosovës kanë ku të shkojnë. Zatën, mbi 750 milionë Euro kanë ardhë vitin e kaluar në Kosovë, në formë te remitancave, në familjet kosovare. Mesatarisht pra, për çdo ditë, mbi dy milionë Euro janë shpërndarë në Kosovë, vetëm në këtë mënyrë, pa përfshirë këtu shumë para të tjera që harxhohen gjatë qëndrimit në atdhe të kosovarëve që jetojnë jashtë, gjatë pushimeve verore.

Së treti, ky rresht i kosovarëve për marrjen e pasaportave, mund të jetë edhe një shenjë e shqetësimit të dyfishtë: Për vetë politikën kosovare, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.  Ky vlerësim mund të duket i tepruar, por nuk ka dyshim që sikur të kishin siguri për punësim dhe për qëndrim afatgjatë legal në Perëndim, shumë kosovarë do të shkonin në Gjermani, Zvicër, Austri dhe shtetet e tjera të BE-së. Niveli i shpresës për ndryshimin e gjendjes sociale dhe ekonomike në Kosovë, në një afat kohor që matet me vjet, e jo me decenie, ka ra shumë kohëve të mbrama në Kosovë.

Në qarqet më të larta të BE-së, i është bërë me dije të gjithë zyrtarëve të vendit që Liberalizimi i vizave nuk është një ‘buletë njëkahëshe’, e cila nuk mund të zhvlerësohet apo të anulohet. Nëse shifrat problematike të kosovarëve që thejnë rregullat e Liberalizimit të vizave do të jenë të larta, atëherë saora mund ta gjejmë veten në një pozitë që objektivisht, do të jetë më e keqe se sa kjo e sotmja, kur ende nuk e kemi fituar këtë të drejtë. Pra, kur jo vetëm që do të mbesim pa Liberalizimin e vizave, por do të duhet të përballemi edhe me besimin e lëkundur me themel të Brukselit, që ne si kosovarë dimë t’i respektojmë Marrëveshjet me BE-në. Do të ishte ky lajmi më i keq i mundshëm për ne, dhe një prapakthim tepër i madh në proceset integruese të Kosovës në BE, që tek kanë nisë ta marrin hovin e duhur.

Por ne realisht ende nuk kemi mbërri aty ku mendojmë të gjithë që jemi pra: Me pasaportë në dorë, në Aeroportin e Prishtinës, duke pritë me u nisë për Evropë.

Rruga për në Sllatinë kalon nëpër Qeverinë dhe Kuvendinë e Kosovës, në Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, kur dihet edhe dy kushte finale që na kanë mbetë të pëpërmbyllura. Është gjithsesi një momenum i ri politik, i cili zgjatë vetëm disa javë, gjatë të të cilave, politika kosovare duhet ta përkthejë konsensusin ekzistues politik për Liberalizimin e vizave dhe në përgjithësi, për ndërmarrjen e madhe politike të inkuadrimit të Kosovës në BE, në një bashkërenditje vepruese e cila do të konkludohet me një arritje nga e cila përfiton çdo qytetar i Kosovës.

Zatën, u pa edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës të javës së shkuar, kur deputetëve iu drejtua Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Zonja Mogherini, çfarë fuqie unifikuese politike ka Bashkimi Evropian në Kosovë. Asgjë tjetër nuk ka mundur t’i bëjë bashkë deputetët e Kuvendit të Kosovës në dy vitet e kaluara.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)