Testi i vërtetë për Erdoganin

Turqia sot po voton për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që njëherësh paraqesin sfidën më të madhe ndaj presidentit aktual, Rexhep Tajip Erdogan dhe partisë së tij që e kanë pushtetin për më shumë se një dekadë.

Bota

24/06/2018 12:42

Rezultatet do të sjellin në krye të Turqisë një president me kompetenca shumë më të fuqishme, gjë e cila u vendos në referendumin e vitit 2017.

Më shumë se 56 milionë njerëz u regjistruan për të votuar, të cilët të drejtën e tyre do të mund ta ushtrojnë deri në orën 17:00, transmeton lajmi.net.

Presidenti Erdogan është lideri më i popullarizuar dhe njëherësh shumë përçarës në historinë moderne, i cili me premtimet e tij për rritjen e ekonomisë synon ta marrë edhe një mandat në krye të shtetit turk.

Por rivali kryesor në këtë garë për Erdoganin po del të jetë Muharrem Ince, kandida nga Partia Republikane Popullore. Parti laike e cila në fushatë ka nxitur kundërshtime dhe ndarje në Turqi.

Duke iu drejtuar qytetarëve në një tubim në Stamboll, Ince premtoi se do ta ndryshojë qeverisjen autirotare të Erdoganit.

“Nëse Erdogan fiton, telefonat tuaj do të përgjohen. Frika juaj do të vazhdojë. Nëse fiton Ince, gjykatat do të jenë të pavarura”, tha rivali kryesor i Erdoganit.

Masa të mëdha:

Partitë e opozitës dhe OJQ-të kanë thënë se kanë vendosur më shumë se gjysëm milioni monitories për të parandaluar mashtrimet e mundshme. Ata argumentojnë se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet dhe mashtrimet në referendumin e vitit të kaluar, ngrenë frikë për manipulime.

Por ministri i Drejtësisë, Abdulahmit Gul tha se deri më tani votimi po vazhdon në mënyrë të rregullt.

“Secili po voton paqësisht. Të gjithë po respektojnë zgjedhjet. Ato po mbahen në atmosferë të këndshme”, deklaroi ai.

Turqia ka qenë nën një sundim i cili ka kufizuar disa prej lirive personale.

Erdogan ka arrestuar qindra e mijëra qytetarë e ushtrues të detyrave publike duke i akuzuar për grusht-shtet ndaj tij në vitin 2016.

Ka shumë pak media apo gazeta që haptasi guxojnë të dalin kundër Erdoganit.

“Kjo nuk është një Turqi që duam. Të drejtat tona janë shkelur, demokracia është e tmerrshme”, ka thënë një punonjës i sektorit të shëndetësisë pas votimit.

Ai dhe shumë të tjerët po duan të votojnë për partinë pro-kurde në mënyrë që ata të hyjnë në Parlament, duke ia pamundsuar partisë së Erdoganit të marrë shumicën.

Sipas Sondazheve Erdogan pritet të kryesojë në raundin e parë në garën presidenciale, por gjithsesi do të ketë një raund të dytë më 8 korrik. Ndërsa partia e tij AK, mund ta humbasë shumicën parlamentare, duke shtuar kështu tensioned ndërmjet presidentit dhe parlamenntit.

Kundërkandidati i tij, Muharrem Ince ka krijuar një koalicion të madh me nacionalistët e partisë së Iyi të kryesuar nga Meral Aksender, dhe islamistët e partisë Saadek.

Kurse partia pro-kurde po kandidon e pavarur, por e cila ka treguar se do ta mbështesë kundërshtarin e Erdoganit në raundin e dytë, cilido që të jetë ai.

Ndryshe Ince është zgjedhur katër herë rresht si deputet i partisë së tij, dhe ka qenë shef i grupit parlamentar për dy mandate.

Ai ka qenë ndër zërat më të ashpër opozitare në Turqi që nga viti 2002, kur Erdogani është në pushtet. /Lajmi.net/