Terry feston me Atleticon

Tifozët rivalë kanë bërë shaka në llogari të Chelseas pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. John Terry është paraqitur duke festuar me futbollistët e Atletico Madridit, kurse autobusi i Jose Mourinhos është shkatërruar në tërësi.

Sport

01/05/2014 09:57

Tifozët rivalë mezi kanë pritur të shtojnë hallin e Chelseas pas eliminimit nga Liga e Kampionëve të mërkurën mbrëma.

Taktika e Jose Mourinhos e ‘parkimit të autobusit’ dhe kundërsulmit, nuk doli e qëlluar, dhe Blues u mposhtën në Stamford Bridge me rezultat 3:1 nga Atletico Madrid, që siguroi kualifikimin në finalen e madhe ku do të ndeshet me rivalin e qytetit Real Madrid.

Por, tifozët e skuadrave rivale kanë gjetur arsye për të bërë shaka në llogarinë e Chelseas.

Në fotografi të ndryshme të publikuara në rrjete sociale, kapiteni i Chelseas, John Terry – i cili nuk mund t’i ndalte lotët pas ndeshjes – shihet duke festuar së bashku me futbollistët e Atletico Madridit në zhveshtoren e tyre.

Mbrojtësi anglez u shndërrua edhe në një kukull të vogël për fëmijë.

Autobusi i Chelseas, ose më mirë të themi i Mourinhos, duket i shkatërruar, ndërsa një bebe që ngjan në strategun portugez, është duke qarë në paraqitjen në një konferencë për shtyp. Kështu është, kur humbni, mund të prisni gjithçka.