Terrorit të Nikolla Gruevskit i ndihmuan edhe shqiptarët

Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë nuk është dukur ende asnjë politikanë shqiptar. Banorët e kthyer i ka gjetur me lot në sy, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i pritur si hero në vatrën e konfliktit.

Lajme

12/05/2015 08:41

Tek futet në shtëpinë e rrënuar nuk përmbahet nga lotët. E mban për supe kushëriri i saj i parë që i shpreh keqardhje për dëmet në shtëpi. “Këto bëhen përsëri. Me rëndësi që kanë shpëtuar njerëzit”, i thotë kushërirës së tij rreth të dyzetave Blerim Ajdini.

Familja Ajdini me prejardhje nga Runica, fshat ky në kufi me Kosovën, ka vite që jeton në Kumanovë. Ata as që kanë pritur se shteti maqedonas do t’i bombardojë një ditë, duke ua shkatërruar gjithë atë që kanë. Ata bëjnë jetë kryesisht të varfër, sikurse edhe shumë banorë të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë, e banuar etnikisht me shqiptarë.

Banorët e lagjes, kryesisht të migruar nga fshatrat e Malësisë së Karadakut të komunës së Gjilanit dhe të Preshevës, ndonëse me vite të tëra ia paguajnë taksat shtetit maqedonas, nuk kanë fare nënshtetësi maqedonase.

Tek tymi dilte nga shtëpitë, oborret e të cilave ishin të mbushura me gëzhoja predhash të artilerisë së rëndë, banorë gjithandej Maqedonisë dhe Kosovës kishin shkuar për t’i vizituar komanovarët.

Banorët shprehen se ndjehen të thyer nga ajo që ka ndodhur, dhe se Qeveria e Maqedonisë, në koalicion me partitë shqiptare, thonë se i terrorizoi civilët në emër të një “grupi kriminal”, thuhet në reportazhin e “Zërit” të bërë në Kumanovë, të cilin të plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të kësaj gazete.