Tërnava uron besimtarët për Fitër Bajramin

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Lajme

27/07/2014 14:14

Nëpërmjet një deklarate për medie, Myftiu Tërnava ka kërkuar që nesër të gjithë besimtarët t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të ndihmojnë të varfëritë dhe ata që kanë nevojë.

“Nesër është dita e parë e Fitër – Bajramit, e cila vjen si shpërblim i agjërimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, t’ju uroj festën e madhe të Fitër – Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. që të na ketë pranuar agjërimin dhe adhurimin që e kemi bërë edhe gjatë këtij muaji të Kuranit”.

“Ndaj edhe me rastin e kësaj feste, së cilës i gëzohet çdo besimtar, juve të respektuar e të nderuar vëllezër e motra, ju porosis që të shtrini dorën e ndihmës atyre t cilat kanë nevojë, të varfrit, jetimët, njerëzit e shtyrë në moshë që kanë mbetur pa përkujdesje, fëmijët e braktisur. T’i gëzojmë ata edhe gjatë kësaj feste ashtu siç i gëzuat me ndihmat e juaja edhe gjatë muajit të Ramazanit, ngase kështu po na thërret Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s”.

Myftiu Tërnava thotë se përderisa “toka po gjëmon nga shumë padrejtësi” dhe po zhvillohen luftëra, Islami po mundohet të promovojë paqe dhe harmoni.

Ai ka ftuar të gjithë besimtarët që të kultivojnë frymën e dashurinë, paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.

“Kur toka po gjëmon nga shumë padrejtësi, ne të tregohemi solidarë e zemërgjerë me njëri-tjetrin. Kur nëpër botë po luftohet, ne të promovojmë paqe dhe harmoni. Kur ne dëgjojmë vajin e fëmijëve, shohim skena trishtuese të masakrave të njerëzve të pafajshëm, të këtyre fëmijëve të pafajshëm, kur ka humbur njerëzorja e arsyeja, kur mbizotëron padrejtësia dhe egoja nëpër rajonet e trazuara me luftë”.

“Të mundohemi që këtë vaj ta shndërrojmë në buzëqeshje dhe përqafim të fëmijëve tanë, në mënyrë që ta kuptojmë dhembshurinë e fëmijëve të cilët po masakrohen e vriten padrejtësisht nga ata që e kanë për detyre të përkujdesen për ta, si në Siri, Irak, Mijan Mar e Gaza”.

“Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës respektit të ndërsjellë edhe me besimet e tjera, që Kosova të jetë vend i harmonisë, bashkëpunimit të tolerancës e paqes. Islami është fe e cila i është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit”.

“Ky është edhe mesazhi universal që del nga kuptimi i drejt i agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, mesazh i cili në vazhdimësi troket në ndërgjegjen e njeriut për ta rizgjuar atë, në mënyrë që bota të përqafojë paqen”.

“Më lejoni që edhe njëherë t’ju uroj festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve në Kosovë dhe brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe të gjithë vëllezërve e motrave në mërgatën tonë, kudo që gjendën ata”.

“Me fat festa e Fitër Bajramit”, përfundon urimin e tij Myftiu Tërnava.