Termokosi dhe KEK-u premtojnë shërbime të qëndrueshme

Se a do të përballen qytetarët edhe gjatë këtij dimri me mungesë të ngrohjes dhe energjisë elektrike mbetet të shihet. Por kompanitë të cilat i ofrojnë këto shërbime premtojnë se gjendja këtë vit do të jetë ndryshe nga vite tjera, ku qytetarët janë përballur me reduktime të gjata të energjisë elektrike dhe të cilët e kanë kaluar dimrin pothuajse fare pa ngrohje. 

Lajme

13/12/2014 10:01

Edhe Komuna e Prishtinës pohon se ka bërë të gjitha përgatitjet me qëllim që sezoni i dimrit të mos i zë në befasi, ashtu siç shumë herë e ka zënë këtë komunë viteve të kaluara, rrugët e të cilës ishin të pakalueshme nga bora dhe ngricat.

Se qytetarët do të kenë ngrohje të mjaftueshme gjatë sezonit të dimrit e pohon zëdhënësja e ngrohtores “Termokos”, Aferdita Uka. Ajo thotë për KosovaPress se tashmë ka filluar furnizimi me ngrohje përmes avullit dhe se qytetarët gjatë këtij dimri do të kenë ngrohje të mjaftueshme. Megjithatë, pohon se si pasojë e problemeve teknike në disa lagje ngrohja ende nuk ka filluar me intensitetin e duhur por se edhe këto probleme pritet të evitohen ditëve në vijim.

Por ka edhe nga ata qytetarë të cilët si pasojë e ngrohjes së tepërt kanë kërkuar që të ndalet kapaciteti i ngrohjes, pasi që një temperaturë aq e lartë është bërë e padurueshme për ta.

E qytetarët të cilët gjatë dimrave të kaluar janë përballë me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, shpresojnë që ky dimër të mos jetë i tillë. Por KEDS nuk i siguron ata që furnizimi me energji elektrike gjatë këtij dimri do të jetë stabil, pasi që sipas tyre kjo gjë nuk varet vetëm nga ata por dhe nga KEK, i cili e prodhon këtë energji.

Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it ka thënë për KosovaPress se kjo nuk varet tërësisht nga ta, por edhe nga kapaciteti prodhues i KEK-ut, i cili ka premtuar se do të ngitet gjatë mesit të muajit dhjetor. Ndërsa, thotë se pjesa tjetër e nevojshme do të importohet nga KEDS. Reduktime sipas tij mund të ketë në rast të prishjeve të pa planifikuara.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, të cilën shumë herë e ka zënë bora në befasi gjatë dimrit, si duket këtë vit do ta zërë më të përgatitur. Zyrtarë të kësaj komuna thonë se tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura me qëllim që të mos ketë bllokadë të rrugëve dhe në rast se do të ketë të reshura bore. /Kosovapress/